ELBASAN – XHAMIA MBRET, NJË NGA OBJEKTET MË TË HERSHME TË KULTIT NË SHQIPËRI

Në fillim shekullin e XX e në vijim, ajo vinte e dyta në radhë, pas xhamisë së ndërtuar nga Sulltan Mehmeti i dytë, në vitin 1464, kur u ndërmorën shumë punime për restaurimin e mureve rrethuese brenda Kalasë.

“Deri më tani nuk ka ndonjë mbishkrim datues, por sipas historianëve, ajo i takon shekullit të XV-të, e lidhur kjo me themeluesin e saj. Nga pikëpamja stilistike, kjo faltore përputhet me të gjitha xhamitë e tjera të emërtuara mbretërore, që u ndërtuan nga Sulltan Bajaziti i dytë, në fund të shekullit XV në Përmet, Gjirokastër, Berat, Shkodër dhe në Elbasan”, thotë për ATSH-në Muftiu i Elbasanit, Agim Duka, i cili mbart edhe një sërë dokumentash që e vërtetojnë këtë.

Në shkrimin e tij mbi Elbasanin, Evlija Çelebiu përmend brenda kalasë një xhami të Gazi Sinan Pashës, (pjesëtar i familjes së Aqif Pashë Biçakçiut), e cila sipas tij, “ishte ndërtesë e madhe, por e vjetër dhe përdhese”. Ai gjithashtu vëren se muret e saj ishin të mbuluara me shkrime të ndryshme në faqet e jashtme, që të bën të mendosh se ajo ishte e suvatuar, por nuk kishte minare. Këto veçori të xhamisë nuk përputhen me xhaminë që ndodhet sot në kala të emërtuar Xhamia Mbret.

Sipas Myftiut, Xhamia Mbret përfaqëson tipin e faltores, me sallë të mbushur, çati druri dhe hajat përpara hyrjes. Salla e faltores ka një hapësirë relativisht të madhe dhe tërthor aksit të saj ndodhen tri kolona druri, për arsye konstruktive të mbajtjes së çatisë dhe për të krijuar një mjedis ndarës të sallës, nga pjesa e mafilit, të cilat janë karakteristike për këtë lloj kompozimi të faltoreve të hershme islamike.

Xhamia merr dritë nga katër dritaret në secilën faqe. “Minareja është e ndërtuar me klausonazh, ashtu si dhe muratura e xhamisë”, vijon Duka. Minareja është e ulët si lartësi, por kalon mjaft bukur trupi në ballkonin e sherifasë e me seksion më të ngushtë në pjesën e sipërme, ku mbështetet koni i majës, i realizuar me fletë metalike prej plumbi.

Hajati i xhamisë ka qenë i realizuar prej strukturash druri disa herë pothuajse me të njëjtën mënyrë, me përjashtim të atij të rikonstruktuar në vitet e fundit të shekullit të XX dhe sot mbahet pastër nga besimtarë të shumtë mysliman, të cilët në çdo vakt kryejnë edhe ritin e faljes.

Po t’i referohesh fakteve të sotme, në qytetin e Elbasanit, me rreth 140 mijë banorë, janë vetëm 5 xhami, si xhamia Mbret brenda kalasë së qytetit, xhamia e Pashës në vendin e quajtur “Tri Urat”, xhamia e Nazireshës në jug të qytetit, xhamia në lagjen “Skënderbej” dhe xhamia më e re El-Hagri.

Ndërkohë që në qytet kanë qenë mbi 20 xhami, mes të cilave dallonin xhamia e Ballijes dhe ajo e Agait, të cilat u prishën nga regjimi komunist./trt

Artikulli paraprak100 VJET NGA LUFTËRAT E BALLKANIT
Artikulli vijuesJordani shmang një sulm terrorist