Trupat e pajetë të 21 grave e një burri u gjetën në një pellg uji të përzjerë me karburant, në një anije emigrantësh të nisur nga brigjet libiane drejt Europës.
Klandestinët kishin qëndruar aty për orë të tëra, thotë organizata bamirëse Mjekët pa Kufij. Mbi 200 persona të tjerë i mbijetuan rrugëtimit dhe pas gjetjes së mjetit lundrues u transferuan në një anije të grupit ndërkombëtar.
“Kur ekipi ynë iu afrua gomones së parë, ka parë trupa të pajetë që ndodheshin në fund të varkës në një pellg karburanti, – ka thënë një nga dëshmitarët. – Të mbijetuarit kanë kaluar porë të tëra në bord me viktimat. Shumë prej tyre janë traumatizuar, duke mos arritur të tregojnë dot atë që kishte ndodhur. Nuk është akoma e qartë se si këto gra kanë humbur jetën”.
Ekipet e shpëtimit kanë transferuar në bordin e anijes “Aquarius” 209 persona (177 meshkuj dhe 32 gra), mes të cilëve 2 gra shtatzënë dhe 50 fëmijë, ku 45 prej tyre ishin të pashoqëruar.
“Edhe në këtë rast, kur mbërritëm për të nisur operacionin e dhënies së ndihmës së shpejtë, dy gomone ishin çarë nga njëri krah dhe kishin filluar të futnin ujë”, – ka shpjeguar Kim Clausen, koordinator i operacioneve.