Raporti, shkeljet e të drejtave, Greqia e para në BE

ATHINE- Greqia renditet e para nga vendet e Bashkimit Europian për sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut. Ky ka qenë konstatimi më i fundit i organizatës jofitimprurëse “Fair Trials International”.

Raporti i organizatës është i bazuar në të dhënat mbi shkeljen e të drejtave të të akuzuarve, në qendrat e paraburgimit të policisë, në gjykata dhe burgje. Sipas raportit, Greqia është kritikuar gjerësisht për abuzimin me praktikat e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e saj. Në raport flitet për kushtet e “tmerrshme” të paraburgimit dhe për raste të “brutalitetit të policisë”, të cilat nuk janë hetuar në mënyrë adekuate nga ana e autoriteteve. Raportohet gjithashtu, se ndihma juridike për të akuzuarit ofrohet rrallë.

Gjithashtu, në raportin e “Fair Trials International” thuhet se midis 47 shteteve në Evropë, Turqia mban vendin e parë për sa i përket mosrespektimit të të drejtave të njeriut, në vend të dytë është Rusia, në vend të tretë Ukraina, kurse Greqia merr vendin e katërt. Kurse Andora, Islanda dhe Liehtenshtejni nuk regjistrojnë asnjë shkelje gjatë vitit 2011. Raporti vëren gjithashtu, se shkeljet e të drejtave të njeriut në vendet e BE-së janë dyfishuar në 5 vitet e fundit. “Shkak për këtë është kriza ekonomike, dhe vonesat në zbatimin e reformave ligjore në vendet e Evropës kanë minuar të drejtat e personave të dyshuar për vepra të kryera”, deklaron organizatës jofitimprurëse “Fair Trials International”. Ndërkaq, vlen të theksohet se respektimi i të drejtave është një nga vlerat themelore për Bashkimin Europian. BE-ja kërkon të sigurojë që të gjitha të drejtat e njeriut – qofshin ato civile, politike, ekonomike, sociale apo kulturore – të respektohen kudo, siç përcaktohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të riafirmuara nga Konferenca Botërore për të Drejtat e Njeriut e vitit 1993. Ajo promovon gjithashtu edhe të drejtat e grave, fëmijëve, pakicave, si dhe personave të shpërngulur.

Traktati i Lisbonës, i cili përcakton bazën ligjore dhe institucionale për BE-në, e bën të qartë se Bashkimi Evropian do të drejtohet nga parimet e mëposhtme: Demokracia, shteti ligjor, gjithanshmëria dhe pandashmëria e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, respekti për dinjitetin njerëzor, parimet e barazisë dhe solidaritetit, si dhe respekti për parimet e Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare. Bashkimi Evropian e ka kthyer mbështetjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë në një aspekt qendror të politikës së saj për marrëdhëniet me jashtë. Mbështetja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë tani merren gjithmonë në konsideratë gjatë procesit të vendimmarrjes dhe procesit të implementimit të politikave. Gjithashtu, janë vënë në dispozicion rreth 1,1 miliardë Euro financime të BE-së përmes Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR ) për periudhën 2007-2013 për të ndihmuar OJQ-të vendase dhe ndërkombëtare në promovimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.bw/kohaislame

Artikulli paraprakLushnje, sherri për pronësinë, vritet para Gjykatës ish-polici
Artikulli vijuesNATO e gatshme për të mbrojtur Turqinë