Emigrantët dinë më shumë për Britaninë sesa britanikët

Deputeti laburist, Sadik Khan, tha për Dailymail se ndihet i frustruar kur sheh të huajt që detyrohen të kalojnë testet e vështira të nënshtetësisë në Angli kur ka plot vendas, sipas tij, që nuk dinë asgjë për historinë e shtetit ku jetojnë.
Khan, prindërit e të cilit kanë emigruar nga Pakistani, e konsideron të tepruar një praktikë të tillë.

“Ndihem keq kur shoh se si qytetarët e rinj detyrohen të mësojnë shumë, në një kohë kur nuk bëhet asgjë për t’u siguruar se një dije të tillë e kanë edhe të tjerët”, u shpreh ai, transmeton TCH.

“Deklarata e Khan ngjalli reagimin e menjëhershëm të konservatorëve. Nëse laburistët duan të heqin testin e nënshtetësisë, ta thonë hapur”, tha ligjvënësi Mark Pritchard.

Për të fituar nënshtetësinë britanike apo të drejtën e jetesës në këtë vend, emigrantëve u duhet të kenë një nivel të caktuar njohurish të gjuhës angleze e të kalojnë testin e quajtur “Jeta në Mbretërinë e Bashkuar”, i cili u paraqit nga vetë laburistët në vitin 2005.

Përpara natyralizimit, ata duhet të marrin pjesë në një ceremoni individuale apo edhe grupi në bashkinë e qytetit ku jetojnë, që përfshin një betim për besnikëri ndaj Mbretëreshës dhe dëgjimin e himnit kombëtar. /

Artikulli paraprakStresi, politika dhe ushtrimet fizike
Artikulli vijuesBurgjet e stërmbushura në SHBA