Në fjalën që mbajti në darkën e shtruar për liderët e vendeve islame Presidenti Erdogan tha se synimi i tyre gjatë presidencës së radhës do të jetë të sigurojë që Bota Islame të shikojë me shpresë drejt të ardhmes.
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se objektivi i tyre është të sigurojnë që Bota Islame të ketë shpresa për të ardhmen e saj.
Për kryetarët e delegacioneve mysafire që marrin pjesë në Samitin e 13-të të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), që filloi punimet të enjten në Stamboll, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan shtroi një darkë në Pallatin Dolmabahçe.
Në fjalën që mbajti këtu Presidenti Erdoan i falënderoi mysafirët për pjesëmarrjen dhe uroi që vendimet e marra në samitin e mbajtur me temën “Bashkim dhe Solidaritet për Drejtësi dhe Paqe” të jenë të dobishme për Botën Islame.
Presidenti Erdoan tha se pritshmëria e madhe nga ky samit është që të gjithë myslimanëve në botë t’u jepet mesazhi, që vendet islame janë të bashkuara dhe në unitet me njëra-tjetrën.
Synimi ynë është të sigurojmë që Bota Islame të ketë shpresë për të ardhmen, nënvizoi Erdoan dhe shtoi: “Urojmë që ky samit të shërbejë si një rast për fillimin e një periudhe të re për të gjithë ne. Qëllimi ynë është që me anë të këtij samiti të pakësojmë sadopak gjakun dhe lotët që derdhen”.
“Ne e kemi nisur rrugën tonë me qëllimin për të shërbyer në krijimin e një klime dialogu edhe më të mirë ndërmjet vendeve islame”, sqaroi kreu i shtetit turk duke theksuar se “në plan të parë duhen nxjerrë emëruesit e përbashkët dhe jo dallimet”.
“Problemet që qëndrojnë përpara nesh janë të mëdha. Përballemi me çështje shumë serioze, po kalojmë një periudhë të vështirë dhe të dhimbshme. Por shpresën nuk do ta humbasim asnjëherë. Në botëkuptimin tonë mysliman nuk mund të ketë kurrë vend për pesimizëm”, nënvizoi Presidenti Erdoan.
“Solidariteti që do të demonstrojmë si vende anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cila është organizata e dytë më e madhe ndërkombëtare pas Kombeve të Bashkuara, do të na çojë drejt arritjeve edhe më të mira”, u shpreh Erdoan ndërsa shtoi se kjo kërkon më shumë punë në çdo fushë, rritjen e solidaritetit dhe konsolidimin e vëllazërisë.
Presidenti tha se drejtësia dhe paqja duhet të sundojë edhe brenda, edhe jashtë.
“Unë jam i bindur se nëse veprojmë me këto parime dhe me këtë vizion e ardhmja jonë do të jetë edhe më e ndritur”, – theksoi Erdoan.
Turqia, vijoi kreu i shtetit turk, do të punojë shumë për realizimin e këtyre idealeve gjatë presidencës së saj.
“Mbështetja dhe kontributi juaj në këtë rrugë ka shumë rëndësi. Suksesi i samitit është suksesi i të gjithëve, suksesi i Organizatës do të jetë suksesi i të gjithë Botës Islame”, përfundoi Erdoan.