Erdogan: Edhe Armenia të hapë arkivat e saj

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka përsëritur se Turqia është e gatshme të hapë të gjitha arkivat mbi ngjarjet nga viti 1915 dhe porositi që edhe Armenia t’i vë në dispozicion arkivat e saj
 
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka përsëritur qëndrimin se Turqia është e gatshme të hapë të gjitha arkivat mbi ngjarjet nga viti 1915 dhe porositi që edhe Armenia t’i vë në dispozicion arkivat e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Erdogan në Ankara u takua me presidentin e Irakut, Fuad Masum, i cili udhëheq delegacionin irakian në vizitë zyrtare në Turqi.
 
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Erdogan i është referuar programeve të cilat do të zhvillohen në Turqi dhe Armeni më 24 prill me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë  Botërore.
 
“Bashkimi Evropian nuk është prapa nesh, ai ka mbetur shumë, shumë pas nesh. Në deklaratat e fundit thonë që të hapen arkivat në lidhje me ngjarjet e vitit 1915, ndërsa unë tashmë prej 12 vjetësh flas se jemi të gatshëm të hapim arkivat tona. Ata, ose nuk dëgjojnë ose janë të zënë me çështjet të tjera. Ne jemi të gatshëm t’i hapim tonat, por le të hapë edhe Armenia arkivat e saj, nëse i ka”, ka thënë Erdogani. 
 
Sipas presidentit turk, gjatë shënimit të 100-vjeçarit që nga fillimi i betejës tokësore në Çanakkale do të organizohet programi dinjitoz për nder të viktimave të këtyre betejave, ku do të marrin pjesë presidentë, kryeministrat, ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë nga rreth 100 vende.
 
“Edhe në Armeni do të mblidhen më 24 prill, do të vallëzojnë dhe këndojnë vetë. Atje do të flasin dhe do të fyejnë Turqinë. Edhe ne do të mblidhemi atë ditë, por në temat tona nuk do ketë Armeni. Ne edhe nesër, më 23 prill (Dita e Fëmijëve), në Stamboll do të flasim për paqen në botë. Ky është dallimi në mes nesh”, porositi Erdogan. 
 
Presidenti i Turqisë vuri në dukje se në kohë të fundit janë bërë shumë hapa në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Turqisë dhe Irakut dhe se periudhat bosh janë e shkuara. Ai shtoi se për Turqinë të gjithë qytetarët e Irakut janë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, etnike apo racore. 
 
Duke iu referuar luftës kundër organizatës terroriste ISIL, Erdogan tha se kjo organizatë punon në rrënimin e unitetit dhe ndarjen e njerëzve në bazat meth’hebike. 
 
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se ISIL-i është virus i cili punon në rrënimin dhe ndarjen e umetit tonë. Edhe të tjerët shkojnë rrugës së njëjtë dhe në masë të madhe e shfrytëzojnë ISIL-in”, porositi Erdogan. 
 
Presidenti i Republikës së Turqisë ka shprehur kënaqësinë e tij në lidhje me lajmin mbi përfundimin e operacionit të koalicionit “Stuhia e Vendosmërisë” në Jemen dhe përkujtoi se Turqia që nga fillimi ka mbështetur këtë operacion. 
 
“Duket se kjo ndërhyrje ajrore ka arritur qëllim ushtarak dhe hapi rrugën për një zgjidhje politike të krizës në Jemen”, përfundoi Erdogan.
 
Presidenti irakian, Masum bëri thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të përfshihen në mënyrë më aktive në luftën kundër ISIL, si kërcënim global të sigurisë. 
 
“Ne aktualisht ndodhemi përballë problemit të terrorizmit. Këtë më saktë mund ta quaj si problemi ISIL. Siç tha kolegu i nderuar Erdogan, ky është virus i madh. Ky është virus që përhapet nga një në vendin tjetër”, ka thënë Masum.
Artikulli paraprakGjykata dyshon se Sami Lushtaku theu rregullat e lirimit
Artikulli vijuesDitari i Komandës Supreme të forcave gjermane: Ja çfarë thuhej për Kosovën e Shqipërinë?