–Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Bashkimit Evropian i ka rënë në mend vonë për rëndësinë e Turqisë në frenimin e fluksit të refugjatëve nga Siria.
Ai po ashtu e ka akuzuar BE-në për mungesë sinqeriteti në bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në bllok, pavarësisht propozimeve të saj të fundit.
Një zëdhënës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila mban pushtetin në Turqi, ka thënë se nuk ka ende marrëveshje përfundimtare për 3 miliardë euro ndihmë nga BE-ja.
Për të frenuar fluskin e migrantëve, liderët e BE-së kanë thënë se do ta ndihmojnë shtetin turk me miliarda euro, do të përshpejtojnë procesin e liberalizimit të vizave me Turqinë dhe do t’iu japin energji të re bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në bllok.
“Siguria dhe stabiliteti i Evropës varen nga siguria dhe stabiliteti jonë. Ata (BE) e kanë pranuar tani këtë”, ka thënë Erdogan.