Juncker: Kthimi i dënimit me vdekje në Turqi bllokon bisedimet për në BE

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se kthimi i dënimit me vdekje në Turqi do të ndalonte procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për televizionin francez “France2”, kreu i KE-së Juncker ka komentuar mbi situatën në Turqi pas dështimit të tentimit të grusht shtetit ushtarak më 15 korrik nga pjesëtarët e organizatës terroriste Fetullahci/strukturat e shtetit paralel (FETO/PDY).

Juncker tha se për shkak të situatës së brendshme në Turqi nuk beson se Turqia në të ardhmen e afërt, ose shikuar në aspektin afatgjatë, do të mund të bëhet anëtare e BE-së.

Duke komentuar mbi debatin në Turqi në lidhje me kthimin e mundshm të dënimit me vdekje, Juncker tha se brenda BE-së nuk ka vend për shtetet ku dënimi me vdekje është në fuqi.

“Në qoftë se Turqia, nesër në mëngjes, kthen në fuqi dënimin me vdekje, ne në atë moment do të pezullojmë negociatat për anëtarësim”, ka thënë ai.

Juncker për televizionin “France2” komentoi procesin e daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni duke shtuar se nuk ka afate kohore se kur do të bisedohet për largimin e Britanisë.

Kreu i KE-së tha se Britania me siguri nuk do të ketë qasje në tregun e brendshëm të BE-së në qoftë se ajo nuk lejon lëvizjen e lirë të punëtorëve nga të gjitha shtetet anëtare.

Artikulli paraprakÇavushogllu: Do të nisen shkarkimet në nivelin e ambasadorëve
Artikulli vijuesTURQI, Masë paraburgim për 327 puçistë