Presidenti turk e ka quajtur propozimin e Donald Trump-it një qëndrim thjesht politik, dhe ka thënë se një plan i tillë është i pamundur.
Duke folur në një intervistë për MSNBC-në, Erdoğan është pyetur nëse retorika e fushatës së Trump-it do të ndikonte që ai t’i këshillojë qytetarët turq, shumica e të cilëve janë muslimanë, të mos i vizitojnë SHBA-të nëse kandidati republikan i fiton zgjedhjet presidenciale amerikane. Ai është përgjigjur duke thënë se mendon që një ndalim i tillë nuk do të bëhej kurrë realitet.
“E pra, unë nuk mendoj se kjo është e mundur në një plan afatgjatë, ngase politika është një maratonë dhe një proces i gjatë,” kanë qenë fjalët e presidentit turk. “Shumë gjëra mund të thuhen nëpër mitingje para zgjedhjeve, e ato dalin krejt ndryshe pas zgjedhjeve.”
Erdogan po ashtu është pyetur se cili kandidat, Trump-i apo Hillary Clinton, do të ketë marrëdhënie më të mira me Turqinë nëse zgjidhet. Një pyetje së cilës ai nuk ka pranuar t’i përgjigjet.
Me përvojën e gjatë të një politikani, ai ka thënë, “Ju doni të më fusni në grackë. Nuk do të bie në atë grackë.”
Gjithsesi, me fjalët e tij, “zgjedhja e popullit amerikan do të jetë zgjedhja e drejtë”. /tesheshi.com/