Erdogan rikonfirmon përkrahjen e Turqisë për Kosovën

Me ftesën e Prefektit të qytetit Eskishehi në Turqi, Kadir Koçdemir, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri e shoqëruar nga ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, e të tjerë, morën pjesë në ceremoninë e shpalljes së Eskishehirit, kryeqytet kulturor i botës turke nga UNESCO.Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përfaqësues tjerë të lartë shtetëror të këtij vendi si dhe nga vendet tjera duke përfshirë Azerbajxhanin, Tataristanin, Kazakistanin, etj.

Në kuadër të kësaj ceremonie, zëvendëskryeministrja Tahiri zhvilloi një bisedë me kryeministrin e Turqisë Recep Tayip Erdogan, të cilit i shprehu falënderimet për gjithë mbështetjen që po e jep Turqia për Kosovën, si dhe gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të ardhmen.

Kryeministri i Turqisë, Erdogan me këtë rast rikonfirmoi përkrahjen e vazhdueshme për shtetin e Kosovës.

“Zëvendëskryeministrja Tahiri po ashtu u takua me ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Tataristanit, Ayrat Sibagatullin, si dhe me delegacionet e Azerbajxhanit, Kirgizistanit dhe Kazakistanit, me të cilët bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit bilateral në fushat e interesit të përbashkët”, thuhet në një komunikatë të zyrës së zëvendëskryeministres.

Gjatë qëndrimit në Eskishehir, zëvendëskryeministrja Tahiri vizitoi Universitetin e Anadollit me ç’rast u prit nga rektori i tij Prof. Dr. Davut Aydin, si dhe zhvilloi një takim të gjatë me dekanët dhe profesorët e këtij universiteti me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në fushën akademike.

Zëvendëskryeministrja Tahiri mbajti një ligjëratë në Universitetin e Anadollit me temën “Roli i kulturës në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes popujve dhe shteteve”, ku një pjesë të ligjëratës ia kushtoi progresit dhe sfidave të shtetit të Kosovës, përfundon komunikata. /almakos/kohaislame

Artikulli paraprakLiga Arabe: Këshilli Opozitar e përfaqëson Sirinë
Artikulli vijuesMursi paralajmëron kundër ndërhyrjeve të huaja në punët e brendshme të Egjiptit