Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan mori pjesë në programin “Takimi i madh me të rinjtë” në transmetimin e përbashkët të televizioneve ATV dhe A Haber. Ekrem Zajmi duke u prezantuar si studentë nga Kosova që ndjek studimet master në degën e Historisë në Universitetin “Hacettepe”, tha se Turqia për vendin e tij është një shembull i mirë për tu ndjekur si në zhvillim ekonomik po ashtu edhe në fusha tjera.
Në programin “Takimi i madh me të rinjtë” me Presidentin Erdogan, studenti nga Kosova Ekrem Zajmi, duke shfrytëzuar mundësinë e dhënë për të folur në emër të studentëve shqiptarë, përcjelli tek presidenti edhe përshëndetjet e nënës dhe babait të tij dhe të gjithë prindërve, fëmijët e të cilëve vijojnë studimet në shtetin e Turqisë.
Duke njoftuar se në Turqi studimet i ndjekin 80 mijë studentë të huaj, Erdogan u shpreh se atyre ua kanë hapur dyert e të gjitha shkollave dhe se për ta nuk ka asnjë vështirësi.
Erdogan gjithashtu theksoi se ka ndjenja të posaçme për Kosovën, duke rikujtuar se Turqia është vendi i dytë që e ka njohur pavarësinë e saj.
“Vendi i dytë që e ka njohur Kosovën jemi ne. Ishin në Komisionin e Ministrave dhe po garonim me Amerikën se ‘a do ta njohin ata të parët, apo ne’. Prisja lajme nga bashkëpunëtorët dhe më thanë se ‘Amerika e njohu’, ndërkohë që ne jemi të dytët. Pra, kemi një kujtim të këtillë për Kosovën. Natyrisht, ende nuk e ka arritur numrin e dëshiruar të shteteve që e njohin atë, megjithatë, nëse nuk gabohem, ky numër ka arritur në 140. Bëra thirrje në Samitin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik duke thënë se ‘Nuk duhet të ngelë asnjë shtet nga mesi juaj që nuk e njeh Kosovën.’ Por, gjithkush i bën llogaritë e veta duke thënë se ‘Ne e kemi këtë problem’ e tjetri ‘Edhe ne e kemi këtë problem.’ Edhe ne kemi probleme, por nëse ju ngecni në këto probleme, atëherë asnjëri nga këto nuk mbaron”, tha Erdogan.
Ai u shpreh se sa i përket kësaj, Turqia dallohet me vendimmarrje.
Duke dëshiruar që studentët kosovarë t’i mbarojnë me sukses studimet dhe të kthehen e të kontribuojnë në vendin e tyre, presidenti Erdogan u shpreh se “Do të ktheheni dhe do t’i shërbeni vendit tuaj e t’i vazhdoni punimet njëjtë sikurse ambasadorët tanë, konsullët dhe shefat e misioneve, dhe do t’i forconi lidhjet”.