Turqia ka të drejtë të kryejë operacione ushtarake jo vetëm në Siri, por në çdo vend tjetër, që është duke strehuar grupe terroriste që kërcënojnë shtetin turk. Kjo është deklarata shokuese e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, shkruan agjencia turke e lajmeve.
“Qëndrimi i Ankarasë absolutisht nuk ka të bëjë me të drejtën e sovranitetit të shteteve që nuk mund të kenë kontrollin e integritetit të tyre territorial. Në të kundërt, kjo gjë ka të bëjë me vullnetin që Turqia tregon për të mbrojtur të drejtat e sovranitetit të saj. Askush nuk mund të kufizojë të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje, në përballje me aktet terroriste që kanë në shënjestër Turqinë”, tha ai.
Erdogan sulmoi edhe vendet që kritikuan Ankaranë për ndërhyrjen në Irak dhe Siri, duke i quajtur ato të pasinqerta, për shkak se predikojnë sipas tij vetëm durim dhe vendosmëri për Turqinë, por veprojnë krejt ndryshe kur sulmohen vetë.
Plot 28 persona, kryesisht ushtarakë turq, u vranë dhe 61 të tjerë u plagosën në një sulm me bombë në Ankara të mërkurën. Turqia thotë se kurdët e YPG janë të përfshirë në këtë sulm. Këta të fundit, Erdogan i cilëson terroristë.