Jetëgjatësia e EULEX-it do të lidhet me përfundimin e rasteve dhe nuk do të kufizohet në kohë. E, në rrethana të jashtëzakonshme, raste të reja do të mund të pranojë ky mision edhe pas 15 qershorit, shkruan sot Koha Ditore.
Përafrimi në dy pikat e fundit kontestuese – njëra që lidhet me kohëzgjatjen e mandatit dhe tjetra me pranimin e rasteve të reja nga EULEX – është bërë pas diskutimeve që në këtë fillimjavë kanë zhvilluar autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian.
Në Kosovë ka qëndruar shefi i operacioneve civile të BE-së, Kenneth Dean, i cili bashkë me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe me shefin e EULEX-it, Gabrielle Meucci, ka takuar vendimmarrësit kosovarë. Një zgjidhje finale palët nuk e kanë gjetur akoma.
Për epilogun e bisedimeve nuk kanë folur në Zyrën e BE-së. Vetëm kanë theksuar se “BE-ja dhe Kosova janë duke finalizuar diskutimet mbi praninë e EULEX-it përtej qershorit”.
E, përderisa vazhdojnë negociatat mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për detajet e mandatit të ardhshëm të misionit të EULEX-it në Kosovë, vendet anëtare të BE-së tashmë kanë arritur pajtimin e tyre që ky mandat të vazhdohet edhe për së paku dy vjet, pasi që mendohet se Kosova ka ende nevojë për praninë e BE-së në fushën e rendit dhe ligjit dhe se në Kosovë sfidat e sigurisë janë të tilla që kërkojnë një prani të BE-së në këtë fushë edhe në të ardhmen.
Burimet diplomatike të BE-së i kanë thënë “Kohës Ditore” të mërkurën se në takimin e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së (Coreper), në parim shtetet janë pajtuar të vazhdohet mandati i EULEX-it deri më 14 qershor 2018.