Në një ceremoni solemne, dje më datë 29.05.2016, në fshatin Nistrovë të Rekës së Epërme, u bë inaugurimi i Xhamisë së Re. Në këtë solemnitet, përpos banorëve vendas dhe rrethinës, kishin ardhur mysafirë nga të gjitha viset shqiptare. Banorët e kësaj ane, sot pritën delegacionin e Muftinisë së BFI – Gostivar i udhëhequr nga Muftiu Hfz. Shaqir ef. Fetahu me stafin e tij, Muftiun e Dibrës H. Ramazan Hasa, Muftiun e Kërçovës H. Murat ef. Huseini, Muftiun e Prilepit H. Shefket ef. Imeri, Muftiun e Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, referentë të Muftinive të ndryshme, kryetarin e Komunës së Gostivarit z. Nevzat Bejta me ekipin e tij, Ministrin e Drejtësisë Mr. Valdet Xhaferin, deputetin Dr. Jamin Sinani, hoxhallarë të rrethit të Gostivarit, drejtorë, funskionarë tjerë dhe shumë prezent tjerë nga larg.
Fillimisht, ky manifestim u hap me lexim të Kur’anit Famëlartë nga Hfz. Tahir ef. Halimi – imam në Xhaminë e fsh. Toplicë, për të vazhduar me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Këshillit Iniciativ z. Gjyljas Seferi dhe arkëtarit z. Besim Bilalli të cilët referuan mbi mbarëvajtjen organizative dhe finansiare të Xhamisë. Për të bërë më të këndshëm këtë ambient, ishte Kori i Muftinisë së Gostivarit të cilët performuan me disa ilahije. Në këtë solemnitet enkas u recitua edhe një poezi nga nxënësi i Medresesë Nazmi Miftari me titull “XHAMIA” të autorit Prof. Mahir Hasani. Më pas, tubimin e përshëndeti kryetari i Komunës së Gostivarit z. Nevzat Bejta i cili foli mbi historikun e shkurtër të Rekës së Epërme dhe në veçanti të Nistrovës dhe jetës fetaro-kombëtare në këtë vend ndër shekuj.
Fjalë përshëndetëse kishte edhe Muftiu i Kërçovës H. Murat ef. Huseini dhe Muftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani. Më tej, Kori i Muftinisë u prezentua edhe me një ilahije, që fjala e rastit të mbahet nga Muftiu i Muftinisë së BFI – Gostivar, Hfz. Shaqir ef. Fetahu i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, theksoi mbi vlerën dhe rëndësinë historike që e ka xhamia në Islam duke falenderuar nismën e banorëve të kësaj ane në krye me z. Gjyljas Seferin si iniciator i parë. Duanë e hapjes solemne të Xhamisë e bëri Hfz. Arif ef. Emini – ligjërues në Medresenë e Gostivarit dhe vaiz në Xhaminë e Lejthisë, të cilës dua i parapriu një lexim i mrekullueshëm i Kur’anit Famëlartë nga Muhamed ef. Veliu – referent i Muftinisë së Prilepit. Pas këtij akti solemn, u bë edhe prerja e shiritit të kuq, ku edhe u dëgjua ezani Muhammedije dhe u fal namazi i drekës të cilit namaz i priu H. Ramazan ef. Hasa – Mufti i Dibrës. Nga organizatorët, për të gjithë donatorët u ndanë mirënjohje dhe u shtrua edhe një drekë solemne. Vlen të theksojmë se Xhamia e Nistrovës është edhe Xhamia e parë e legalizuar në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës.