Fakte të reja rreth pirjes së duhanit

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se çdo vit duhani “vret” pesë milionë duhanpirës! Shkencëtarët deklarojnë se tymi i cigares përmban katër mijë elemente kimike, një prej të cilave paraqet rrezik dhe dëm për njeriun, kurse një tjetër shkakton kancerin.

Organizata gjithashtu thotë se çdo vit vdesin gjashtëqind mijë njerëz jo duhanpirës për shkak të pirjes jo të drejtpërdrejtë, respektivisht për shkak të ekspozimit të tyre ndaj tymit të cigares së duhanpirësve përreth tyre. Ndërsa një përqindje e lartë e vdekjes (40%) shfaqet në radhët e fëmijëve dhe kjo vjen si shkak i pirjes jo të drejtpërdrejtë të duhanit.

Tymi i duhanit shkakton më tepër se njëqind sëmundje, në krye të së cilës janë sëmundjet e zemrës, ateroskleroza, pastaj sëmundjet e mushkërive dhe në fund edhe ato të kancerit.

Një studim i ri thotë se rreziku i nargjilesë[1] aspak nuk është më i lehtë sesa ai i cigares. Nargjileja konsiderohet jashtëzakonisht e dëmshme, kurse rrezikshmëria e saj qëndron në faktin se duhanpirësi thith sasi të madhe duhani pa e ndier fare.

Studimet më të reja sqarojnë se ndalimi i pirjes së duhanit kontribuon shumë në përmirësimin e shëndetit të shoqërisë. Në qytetet që aplikuan sistemin e ndalimit të duhanit banorët e tyre gëzojnë shëndet mendor dhe fizik më shumë se të tjerët. Shkencëtarët deklarojnë se forma më e mirë për mënjanimin e dëmeve ekonomike dhe fizike të duhanit është të bëhet pengimi dhe ndalimi i tij.

I lartësuar qoftë Allahu! Islami e ndaloi duhanin me të gjitha llojet e tij. Ekziston pothuajse konsensus ndër juristët islamë (gjithashtu vendime juridike të dala nga Akademia e Fikhut Islam) për ndalimin e duhanit. Duhanpirësi e dëmton veten dhe dëmton të tjerët rreth tij, kurse i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Nuk ka dëm as të dëmtuar (reciprok).” (“Askujt nuk guxohet t’i shkaktohet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë.”)

Kësisoj, Islami pajtohet me shkencën. Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Bekare, 195).

Po e përmbyll këtë artikull me një informacion të vërtetuar, se pirja e duhanit thjesht konsiderohet një zakon dhe çdo njeri me lehtësi mund ta braktisë pirjen e duhanit me kusht të mbështetjes tek Allahu i Lartësuar, që këtë zakon ta braktisë për hir të Allahut dhe se gjithnjë sa herë t’i kujtohet në mendjen e tij cigarja, të kujtojë thënien e të dashurit tonë, Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Kush lë diçka për hir të Allahut, Ai ia kompenson me diçka më të mirë se ajo.”

Përktheu: Almedin Ejupi/klubikulturor/kohaislame

Artikulli paraprakSistemi Ford Sync, i instaluar në 5 milionë makina
Artikulli vijuesErdoan: Nuk i kemi kërkuar Nato-s raketa "Patriot"