Familja milionere rrezikon të mbetet pa kulm mbi kokë

Kolë Puka ka siguruar “strehim” e ushqim për 15 vjetet e ardhshme në Burgun e Dubravës, por familjarët e tij rrezikojnë të mbesin “pa kulm mbi kokë”. Gjithë pasuria që ka krijuar ish-gjyqtari i Gjykatës Komunale të Klinës me anë të veprës penale, për çka tashmë është i dënuar më 15 vjet burgim, pritet t’i konfiskohet.

Prokuroria ka arritur që të zbulojë pasurinë e tij të blerë me para të pista, të cilën Puka ua kishte bartur në emër të pesë familjarëve të tij. Për këtë ata janë akuzuar nga prokurori special, Ali Rexha, për veprën penale të shpëlarjes së parave.

Ilir Gegaj, nga fshati Gurrakoc i Istogut, me vendbanim në Australi, Kastriot Gegaj, nga Gurrakoci, Zef Puka, nga Rahoci i Klinës, Kushtrim Ademi, nga Drenoci i Klinës,

Tomë Puka, nga Rahoci, – akuzohen për këtë vepër, sepse, sipas Prokurorisë, pasurinë e krijuar nga Kolë Puka e kanë bartur në emrin e tyre për ta fshehur prejardhjen e saj.

Një veturë të tipit “Audi A6”, e blerë për 41.500,00 euro në vitin 2009, një vilë luksoze me truall në Ulqin, një pushimore tjetër në Ulqin, një banesë në sipërfaqe 72 m katrorë në Klinë, një shtëpi tjetër dy kate në Klinë dhe një lokal në këtë qytezë, Prokuroria Speciale pretendon se janë blerë nga ish-gjyqtari Puka gjatë veprimtarisë së tij kriminale njëdekadëshe.koha/kohaislame

Artikulli paraprakFier, tërmet me magnitudë 3.6 e shkallës rihter
Artikulli vijues"Mos bëni pazar të dielave" thotë kisha