Në shenjë proteste, i mbushin gropat me bredha (Foto)

Për të protestuar për mosrregullimin e rrugës, disa banorë dhe biznesmenë të Vitisë, kanë vendosur që të mbjellin bredha në gropat të cilat ndodhen në rrugën Gërlicë – Viti dhe Viti- Kllokot.

Njazi Fejzullahu, banor i fshatit Smirë, ka thënë për Telegrafin se vendimin për të protestuar në këtë formë e kanë marrë, pasi që deri më tani institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë vendim për të rregulluar këtë rrugë.

“Përveç banorëve, në këtë aksion janë përfshirë edhe 10 afaristë të këtyre zonave. Kjo rrugë, në gjendjen se si ndodhet aktualisht e ka vështirësuar shumë transportin, por edhe ka ndikuar në rritjen e aksidenteve rrugore, që disa prej tyre kanë qenë edhe fatale”, ka thënë Zejnullahu.

Sipas tij, fshatarët kanë marrë premtime nga komuna e Vitisë, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore, se kjo rrugë do të rregullohet shumë shpejt.

“Tash para dy ditësh, komuna ka sqaruar se obligimi për ndërtimin e kësaj rruge bie mbi Ministrinë e Infrastrukturës. Ministrisë nuk i jemi drejtuar me kërkesë, sepse tash kemi menduar se është obligim i komunës për ta rregulluar këtë rrugë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/

Artikulli paraprakBE-ja, edhe me flamuj diskriminon Kosovën përballë Serbisë! (Foto)
Artikulli vijuesMinsk – vendi ku diskutohet fati i Ukrainës