Familjarët e Komandant Shqiponjës e cilësojnë si provokim lirimin e vrasësit

Dhimbja dhe pikëllimi mbizotëronin në familjen Rexhepi, një vit pas vdekjes së anëtarit të tyre të familjes, Xhemail Rexhepi i njohur si Komandant “Shqiponja”. Familjarëte kujtojnë me dhimbje birin, babain,bashkëshortin dhe vëllain e tyre, që deri një vit më parë, frymonte në këtë shtëpi. Ata pavarësisht dhimbjes dhe mllefit që kishin për të shprehur, nuk deshën të thyejnë heshtjen e tyre. Nuk pranuan të prononcohen përpara kamerave nga frika se mos fati i njejtë do t’i përcjell edhe pjestarët e tjerë të familjes.

Anash kamerave, familjarët e Komandant Shqiponjës thonë se lajmi për lirimin e vrasësit të birit të tyre në paraburgim shtëpiak, i ka vrarë për së dyti. Lirimin e tij pikërisht në përvjetorin e vdekjes së Xhemailit, ata e cilësojnë si provokim për familjarët.

Për avokatin e tyre Marjan Vitanovski,  është i palogjikshëm lirimi i tij në paraburgim shtëpiak. Ai tha se nuk e ka të qartë se ku është bazuar një vendim i tillë, dhe pret që gjithçka do të bëhet më e qartë pasi që t’a sheh vendimin për lirimin e tij. Avokati pret që nesër të marrë vendimin zyrtar nga gjykata, dhe më pas të vazhdojë me procedurat juridike për ankimimin e vendimit, raporton TV SHENJA.

Në përvjetorin e vrasjes së Komandant “Shqiponjës”, gjykatësja Gjylsime Shabani ka nënshkruar lirimin nga paraburgimi të vrasësit të tij, Bajram Limani. Siç raportohet, Limani dy netë më parë është liruar nga paraburgimi dhe është përcjellë për në shtëpinë e tij në fshatin Llojan, ku do të jetë në burg shtëpiak.

Ndryshe, një vit më parë në një lokal të Kumanovës pas një zënke për postin e kryetarit të Degës së BDI-së në Kumanovë, u vra Komandant “Shqiponja”. Vrasësi Bajram Limani, mik i ngushtë i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, u emërua nga vetë kreu i BDI-së Ahmeti si kryetar dege, duke mos respektuar procedurat dhe pa pëlqimin e strukturave partiake. Nga ana tjetër, Xhemail Rexhepi, i njohur si Komandant Shqiponja dhe mbështetësit e tij, kërkonin zgjedhje sa më të shpejta për kryetar dege, duke synuar se kanë mbështetjen e strukturës partiake.

Më 23 korrik të vitit të kaluar, takimi mes Komandant Shqiponjës dhe Bajram Limanit për koordinimin e zgjedhjeve brendapartiake, ka kaluar në zënkë të ashpër mes dy grupeve. Zënka verbale dhe fizike është përgjakur kur i emëruari nga Ali Ahmeti për kryetar dege të BDI-së në Kumanovë, Bajram Limani, ka shkrepur me armë zjarri “Kallashnikov” drejt Xhemail Rexhepit dhe përkrahësve të tij. Rexhepi ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa disa përkrahës të tij kanë mbetur të lënduar.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

Artikulli paraprakA të lutemi për Erdoganin?A të gëzohemi me fitoren e tij?
Artikulli vijuesKryeparlamentari Turk Kahraman: Kaluan kohërat e grusht shtetëve në Turqi