Pak pasi raporti mbi angazhimin e Britanisë në luftën e Irakut trembëdhjetë vite të shkuara u bë i njohur, kanë reaguar ashpër familjarët e britanikëve që lanë jetën në këtë sipërmarrje të papërligjur.
Në raportin e lexuar nga Sër John Chilcot zë vend kritika për pjesëmarrjen britanike në këtë luftë, e thuhet shprehimisht se kërcënimi prej Irakut u “paraqit me një siguri që nuk ishte e justifikuar”.
“Pavarësisht paralajmërimeve të qarta, pasojat e pushtimit u nënvlerësuan. Planifikimi dhe përgatitjet për Irakun pas Sadam Huseinit ishin tërësisht të pamjaftueshme,” thuhet në Raportin Chilcot, sipas asaj që bën me dije The Independent.
Tony Blair është vënë me shpatulla pas muri pikërisht për shkak të luftës së Irakut. Ndaj ish-kryeministrit kanë shpërthyer familjarët e 179 ushtarakëve britanikë të vrarë në Irak.
“Ka një terrorist që bota duhet ta njohë, e ai është Tony Blair, terroristi më i keq i botës,” është shprehur pas dëgjimit të raportit Sarah O’Connor, vëllai i së cilës, rreshteri Bob O’Connor, la jetën në Irak në vitin 2005.
“Nëse ai është aq i sigurt për vendimin e tij, pse nuk është këtu, të na shohë në sy dhe të na vështrojë fytyrat?”, ka theksuar ajo në një konferencë shtypi të familjarëve të viktimave britanike në luftën e Irakut.
Një tjetër i lënduar nga ajo luftë e panevojshme, Eddie Hancock, i biri i të cilit, 19-vjeçari Jamie Hancock, do të vritej në Basra në 2006-tën, ka kërkuar përjashtimin e plotë të Blair-it nga jeta publike.
“Shpresoj, dhe do t’u bëja thirrje të gjithë politikanëve në këtë vend, që për dëmin e madh që ky njeri i ka bërë këtij populli, forcave të tij të armatosura, atij t’i ndalohet për jetë çdo formë e postit publik…. Ai ka shpërudhur parlamentin, ka fabrikuar fakte…”
Pasi janë njohur me raportin prej 12 vëllimesh, familjarët e viktimave kanë bërë të ditur se mund t’i drejtohen dhe gjykatës, me objektiv kryesor të aksionit të tyre ligjor ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. /tesheshi.com/