Sajjad Malik nëpërmjet një telekonference tha se “Deri më tani në lindje të Halepit janë kthyer 2.200 familje siriane”
Zv/koordinatori i ndihmave humanitare i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Sajjad Malik, ka njoftuar se pavarësisht shkatërrimeve të mëdha në Halep, sirianët kanë nisur të kthehen në qytet pas armëpushimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Malik nëpërmjet një telekonference tha se “Deri më tani në lindje të Halepit janë kthyer 2.200 familje siriane”.
Pasi ka theksuar se shkatërrimet në Halep janë në përmasa të mëdha dhe se për ndërtimin e qytetit do të nevojitet një kohë e gjatë, Malik është shprehur se “Moti është shumë i ftohtë dhe njerëzit po kthehen në shtëpi të cilat nuk kanë dyer dhe dritare.”
Ndër të tjera ai ka shtuar se me “heshtjen e armëve” fëmijët duke dalë nga ndërtesat e dëmtuara luajnë nëpër rrugë dhe se pas armëpushimit kanë vërejtur optimizëm. Malik ka shtuar më tej se populli i Sirisë është zhgënjyer shumë herë dhe se duhet ti jepet një shans paqes që këto shpresa të mos shuhen përsëri.
Gjithashtu duke pohuar se në Halep ku më parë jetonin 4 milionë persona aktualisht jetojnë 1,5 milionë, Malik ka vënë në dukje se 400 mijë prej tyre e përbëjnë ata që kanë migruar brenda vendit.
Ai ka shtuar ndër të tjera se Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka nisur të ofrojë shërbime në një rajon për fëmijët të cilët që prej 5 vitesh nuk kanë vajtur në shkollë dhe të cilët kanë nevojë për mbështetje psikologjike.