Fatma Karaj – Imazhi i muslimanes bashkëkohore shqiptare

Cila është Fatma Karaj – vajza nga Berati që tashmë drejton Zyrën e Gruas pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë?

Cili është rrugëtimi i saj deri në këtë detyrë të rëndësishme të përfaqësimit të grave dhe vajzave myslimane shqiptare?

Si arriti Zyra e Gruas në KMSH të konsolidohej kaq shpejt nëpërmjet gamës së gjerë të aktiviteteve dhe shërbimeve në dobi të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare? Cilat janë problemet më kryesore që hasin vajzat dhe gratë shqiptare e në veçanti ato myslimane? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave i gjeni në intervistën e zhvilluar me gazetarin Qani Sulku, ku znj. Karaj rrëfen me shumë modesti arritjet, vështirësitë dhe peripecitë që e kanë shoqëruar në jetën dhe punën e saj të deritanishme.

Ajo është nga qyteti i Beratit. Menjëherë pas Shkollës së Mesme vijoi studimet për teologji islame në Bursa të Turqisë, ku u diplomua me rezultate të larta në vitin 2010. Me t’u kthyer në Shqipëri, punësohet si mësuese e lëndëve fetare në Medresenë e Korçës dhe pas një viti, vjen në Tiranë për të vijuar rrugëtimin, sërish si mësuese, por tashmë në Medresenë e Tiranës. Pas dy vitesh kontribut të çmuar në përçimin e dijes në këtë institucion arsimor, Fatmën e priste një tjetër sfidë e papritur dhe e befasishme. Ajo e kujton fare qartë kur në vitin 2012, kryetari i KMSH i asaj kohe H. Selim Muça e fton në zyrë dhe i komunikon lajmin se ajo ishte caktuar për të qenë Përgjegjëse e Zyrës së Gruas pranë institucionit më të lartë zyrtar të përfaqësimit të myslimanëve shqiptarë. Vetë ajo shprehet duke thënë: “E kam pritur jo me shumë gëzim, por me shumë frikë, pasi është një përgjegjësi shumë e madhe. Të jesh Përgjegjësja e Zyrës së Gruas në kmsh, do të thotë të përfaqësosh myslimanen ideale, të përfaqësosh Islamin në radhë të parë. Kam qenë shumë e emocionuar. I kam bërë pyetjen vetes: A mund t’ia jap hakun kësaj zyre? A mund ta përfaqësoj siç duhet unë myslimanen?” Të qenët në këtë post e obligon atë të jetë shembull në çdo moment. Ajo nuk e priste emërimin në këtë detyrë, pasi ishte shumë e impenjuar në Medrese, ku ndihej shumë komode me punën që bënte. Gjithashtu këtë detyrë nuk e priste edhe për shkak të moshës së saj relativisht të re. “Lajmi për postin e ri mu duk edhe i bukur edhe i vështirë. Mendoja me vete: “Unë sapo jam kthyer nga studimet, janë vitet e para të punës, ndoshta më duhet edhe pak eksperiencë” rrëfen me shumë modesti Fatma, e cila e surprizuar shton dhe thotë: “Nuk e prisja të isha unë, pasi ka shumë motra myslimane të tjera që kanë dhënë kontribut të çmuar, plus që vijnë edhe nga familje myslimanësh praktikantë, ndërkohë që unë as Medresenë nuk e kisha kryer dhe u regjistrova direkt në fakultetin e teologjisë islame në Universitet”.

Nga ana tjetër ajo nuk e mohon faktin se, përderisa u zgjodh ajo dhe jo dikush tjetër, kjo do të thoshte se ajo mund ta kryente me sukses detyrën që i besohej. Ky vlerësim që po i bëhej, e shtyri atë që t’i futet punës me përkushtim dhe me nijet të pastër. Ajo teksa tregon për fillimet e saj në këtë detyrë thotë se ka pasur vetëm dy studente të cilat e ndihmonin aq sa mundnin, pasi nuk kishin kohë të mjaftueshme t’i përkushtoheshin punës për shkak të angazhimeve studimore. Fatma kujton aktivitetet e para të cilat konsistonin në ligjërata dhe takime me gra e vajza, pothuajse në të gjitha xhamitë e Tiranës. Kështu filloi pak nga pak të rritej dhe të zgjerohej aktiviteti i kësaj zyre, ku më pas vijoi me ofrimin e kurseve të mësimit të gjuhëve të huaja dhe përcjelljen e ligjëratave fetare në ambientet e Medresesë së Tiranës, pasi nuk kishin një qendër të tyren.

Duke pasqyruar disa nga shërbimet dhe aktivitetet që ofron zyra që ajo drejton znj. Karaj thotë: “Kemi ofruar një gamë të gjerë shërbimesh për gra e vajza, për gratë e burgut, një sërë aktivitetesh sociale dhe humanitare për Azilin e Pleqve, Shtëpinë e të Moshuarve, Shtëpinë e Fëmijës. Dëshironim të preknim çdo ambient ku në fokus është gruaja, të ofronim burimet shpirtërore, këshillat tona fetare”. Zyra e Gruas në KMSH në raste festash siç janë Bajramet ka ofruar pako ushqimore për Shtëpinë e të Moshuarve; ka organizuar tema në lidhje me sëmundje të ndryshme për to, pasi është një moshë që preket më shpesh nga sëmundjet. Aktivistet e kësaj zyre kanë zhvilluar edhe biseda individuale me të moshuarat, ku janë njohur me problemet e tyre personale dhe janë afruar aq shumë me to, saqë janë bërë si të shtëpisë. Shumë prej të moshuarave u thonë: “Hajdeni më shpesh, se ndoshta nuk na gjeni!”.

Shtepia-e-te-Moshuarve-7

Zyra e Gruas në KMSH zhvillon aktivitete në të gjithë vendin dhe për realizimin e tyre koordinohet me myftinitë e rretheve. Është shumë e nevojshme të kontribuosh dhe të investosh për gruan, pasi investimi për të do të thotë të investosh për familjen dhe për të gjithë shoqërinë. Një nga qëllimet e zyrës së gruas është që të ketë në çdo qytet të vendit nga një përfaqësuese të kësaj zyre, si dhe të ndërtohet nga një qendër kulturore, për të përmbushur nevojat e grave dhe vajzave të zonës. Gjatë intervistës, Fatma thotë se ndër qytetet që dallohen për organizimin e aktiviteteve për gra e vajza është Kukësi dhe Puka, ku për këtë falënderon bashkëshortet e myftinjve përkatës të këtyre qyteteve për punën e mrekullueshme që ato kanë bërë me gratë e vajzat e rrethit përkatës.

Një ndër aktivitetet më në zë që pati impakt në nivel kombëtar, ishte konkursi letrar me temë: “Për ty nënë” organizuar nga Zyra e Gruas në KMSH gjatë vitit 2015 në kuadër të 8-Marsit, ku morën pjesë gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria. Punimet më të mira të këtij konkursi do të botohen në një libër që del së shpejti, thotë drejtuesja e kësaj zyre. Nga takimet e shumta që kanë zhvilluar aktivistet e kësaj zyre me grupe grash e vajzash, kanë konstatuar se sfidat me të cilat ndeshet femra shqiptare e në veçanti ajo myslimane, është diskriminimi dhe paragjykimi, aq më tepër për ato femra me mbulesë, të cilave u shtohet edhe një tjetër problem siç është punësimi, apo edhe përballja me opinionin publik, si dhe me të afërmit e familjes.

Angazhimet në punë nuk janë të vetmet për Fatmën, e cila nga ana tjetër është edhe një nënë e përkushtuar e dy fëmijëve. Ajo është bashkëshortja e teologut Elton Karaj, imamit të xhamisë “Et’hem Beu”. Ajo thotë se e ka pasur shumë të vështirë në fillim kur punonte në Medrese, pasi në të njëjtën kohë ishte edhe një nënë e re, në një kohë kur obligimet familjare ishin të shumta. Ajo i është mirënjohëse prindërve të bashkëshortit të saj, të cilët ia kanë lehtësuar situatën duke u kujdesur maksimalisht në mirërritjen e fëmijëve të saj. Zyra e Gruas pranë KMSH ka mbështetje të madhe edhe nga sektorë të tjerë brenda këtij institucioni, në mënyrë të veçantë nga kancelari, i cili ndjek me vëmendje çdo aktivitet dhe zhvillim të Zyrës së Gruas.

Kjo ishte në pak fjalë historia e Fatmës, e re në moshë por profesioniste në punë dhe e suksesshme në drejtimin dhe menaxhimin e një dikasteri të rëndësishëm siç është ai i gruas. Plot shpresa dhe ambicie për ta çuar përpara angazhimin e saj në dobi të të gjitha femrave myslimane shqiptare për t’i dhënë zë dhe hapësirë atyre, si dhe për t’i bërë të ndihen të barabarta dhe të vlerësuara në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.

/Revista Drita Islame/

Artikulli paraprakSi sillej i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në shtëpinë e tij
Artikulli vijuesNënë, më mungon!