Fatos Lubonja mesazh për shqiptarët e Kosovës

Analisti i njohur nga Shqipëria, Fatos Lubonja ka deklaruar se protestat e fundit në Kosovës kanë pretekst për retorika patriotike.

Ai në një prononcim për “Zërin” ka komentuar edhe ikjen e fundit të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Evropës. Sipas Lubonjës, ndër arsyet kryesore që po bëhet një gjë e tillë është mos përmirësimi i jetesës.

“Unë gjej një paradoks midis këtyre protestave edhe lajmeve të trishtueshme që gjejmë në mediat kosovare mbi ikjen e shqiptarëve të Kosovës jashtë shtetit. Sepse në qoftë se nuk punohet për përmirësimin e jetës së njeriut konkret, atdheu ekstrakt është një fjalë boshe”, ka deklaruar ai.

Lubonja, më tej ka theksuar se, protestat e fundit të organizuara nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe dy partitë tjera opozitare, më shumë mund të shihen që kanë frymë nacionaliste.

“Protestat më duken si një pretekst për retorika patriotike, ndërkohë që bëhet pak nga klasa politike dhe është bërë pak për ti bërë kosovarët që ta duan vërtetë veten e tyre si dhe klasën politike”, është shprehur ai.

Kurse deklarata “egërsira” të ish-ministrit të Kthimit dhe Komuniteteve, Aleksandër Jabllanoviq, sipas analistit nga Shqipëria, nuk ka qenë me vend.

 

“Ai sigurisht nuk ka bërë mirë që ka përdorur këtë fjalë edhe pse ne e përdorim shpesh për vetën. Kur ja themi njëri-tjetrit shqiptarët e themi më lehtë, sepse nganjëherë vet sillemi si egërsira”, ka thënë në fund Lubonja. /Zëri/

Artikulli paraprakLiderët politikë shqiptarë në Mal të Zi, të pakënaqur me pozitën e shqiptarëve
Artikulli vijuesBrusketa me djathë të shkrirë, suxhuk & erëza