FDH ngrit padi për masakrën e Poklekut

0
225
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) ka ngritur kallëzim penal kundër dy pjesëtarëve të policisë së Serbisë me dyshimin se më 17 prill 1999, kishin vrarë 53 civilë shqiptar në Poklek të Drenasit.
 
Sipas një komunikate të FDH-së bëhet fjalë për dy pjesëtarë të paidentifikuar të repartit 86 të Njësive Speciale të Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
 
Kallëzim penal, njëkohësisht është ngritur edhe ndaj ish-komandantit të këtij reparti, Dragan Obradoviqit, dhe komandantit të çetës të cilës i takonin dy NN të dyshuarit, pasi nuk e kishin parandaluar krimin, e as nuk i kishin ndëshkuar kryesit.
 
Bashkë me kallëzimin penal, Prokurorisë për Krime Lufte i janë dorëzuar edhe 26 dëshmi, ne mesin e të cilave edhe deklaratat e të mbijetuarve, si edhe dokumente të UJ-së dhe MUP-së.
 
Në dëshmi thuhet se në datën e krimit, rreth orës 16, dy pjesëtarë të repartit 86 të NjSP-së kanë hyrë në oborrin e Sinan Mukollit në Poklek, në shtëpinë e të cilit po fshiheshin 59 persona nga fqinjësia, kryesisht, gra, fëmijë e pleq.
 
Sinanin dhe Imer Mukollin i kishin pushkatuar, derisa të tjerët që i kishin futur në shtëpi pas i kishin bastisur, i kishin sulmuar me bomba.
 
Sipas dëshmive, njëri nga të dyshuarit,  e ka hapur derën dhe nëpërmjet saj e ka hedhur një bombë në dhomën ku ishin civilët. E menjëherë pas shpërthimit të saj, e ka hedhur edhe tjetrën.
Ndërsa pak minuta më vonë, i njëjti pjesëtar i policisë, ka hyrë në dhomë dhe me rafale automatiku i qëlloi të gjithë ata që kishin shenja jete.
 
Sipas FDH, policët i dogjën trupat e civilëve.
 
“Katër persona, ne mesin e të cilëve edhe një fëmijë dyvjeçar, që u kanë mbijetuar bombave dhe rafalëve, janë djegur të gjallë. Shumica e fëmijëve kishin më pak se 7 vjet, ndërsa janë vrarë edhe dy foshnja njëvjeçare. Gjashtë persona kanë arritur të mbijetojnë”, thuhet në kumtesën e FDH, ku rikujtohet se askush deri më sot nuk është përgjigjur për këtë krim.