Procesi i daljes së Britanisë nga BE-ja mund të nisë shkurtin e ardhshëm

Duke folur në Bratislavë, në kryeqytetin e Sllovakisë, ku ka patur një takim të udhëheqësve të BE-së, përjashtuar atë të Britanisë, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka lënë të kuptohet se bisedimet e Brexit-it mund të fillojnë gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm.

Ai ka folur për një takim me kryeministren britanike një javë më parë në Londër, duke nënvizuar se Theresa May kishte qenë shumë e hapur dhe e sinqertë me të.

“Ajo deklaroi se është thuajse e pamundur që neni 50 të vihet në lëvizje këtë vit, por ka shumë mundësi që ata të jenë gati mbase në janar, mbase në shkurt, vitin tjetër,” ka thënë Tusk.

Zyra e kryeministres britanike nuk i ka konfirmuar thëniet e presidentit të Këshillit Europian, por bëri të ditur se procesi nuk do të niste këtë vit.

Siç thotë dhe BBC-ja, koha e nisjes së procesit të Brexit-it ka vijuar të jetë e paqartë, ndërsa qeveria britanike e Theresa May-it nuk ka bërë për asnjë çast një deklarim të prerë.

Negociatat zyrtare për daljen nga BE-ja nuk mund të fillojnë derisa Mbretëria e Bashkuar të vërë në veprim nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që është dhe mekanizmi i cili rregullon daljen nga blloku i vendeve europiane. /tesheshi

Artikulli paraprakSot nis vaksinimi i gjedheve kundër sëmundjes gungore
Artikulli vijuesSerwer: Serbia e ka gabim, duhet ta njohë Kosovën