Senad Maku
“Ata duan ta shuajnë dritën e All-llahut me gojët e tyre, po All-llahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët. Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërguarin e vet me udhëzim të qartë e fe të vërtetë për ta bërë mbizotërues mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë.” (Kur’an: Saff: 8-9)1
Shumë njerëz të pandershëm thurin akuza të rreme ndaj Muhamedit a.s., krijesës më të dashur dhe më të përsosur të gjithësisë. Këta armiq të së vërtetës Hyjnore janë përpjekur të shpifin lloj-lloj të pavërtetash për njeriun më fisnik të mbarë gjinisë njerëzore. Njerëz të pajisur me vese dhe cilësi të ulëta, argatë të iblisit, satanait, për shkak të zemrës së tyre të prishur janë munduar që cilësitë e tyre të ulëta t’ia mveshin dhe atribuojnë shembullit më të përkryer të njerëzimit.
Një prej çështjeve kryesore mbi të cilën kundërshtarët e Isla¬mit janë munduar të hedhin baltë e të hapin polemika e dyshime rreth saj, është çështja e martesës së Muhamedit a.s. me shumë bashkëshorte.
Shumë libra dhe revista Muhamedin a.s. e paraqesin si një njeri të dhënë pas epshit, në shkrime etiketuese me titujt si “Muhamedi pedofil”, “Seksualiteti i Muhamedit”, etj.. Shpifje dhe keqinterpretime të tilla, për Muhamedin, Kur’anin dhe në përgjithësi fenë islame hasim edhe në literaturën në gjuhën shqipe. Kohët e fundit vijnë botime edhe nga shtëpia botuese “Cakolli” dhe Shtë¬pia botuese “TENDA” e cila luan rolin e tutorit nga një garniturë antiislame dhe e cila ka botuar një seri librash me përplot shpifje e të pavërteta rreth Kur’anit dhe Muhamedit a.s.. Këtyre u duhet shtuar edhe një luftë kulturore antiislame nga medie të ndryshme etj.
Ndër shpifjet e të krishterëve, jehudinjve dhe shumë e shumë të tjerëve nga Perëndimi fanatik, është se ata thonë:
“Muhamedi ka qenë i dhënë pas epshit, shkonte pas dëshirës dhe kënaqësive të tij dhe vepronte nën ndikimin e epshit të tij. Nuk i mjaftoi një grua apo katra si çdo pasuesi të tij, por u ma¬rtua dhjetë e më tepër herë, sikur ia donte epshi dhe dëshira”.2
Në librin “Muhamedi – A është profet?” të autorit Joseph Smith të botuar nga shtëpia botuese “Tenda” e Prishtinës gjejmë shumë shpifje për Muhamedin a.s. dhe njëra ndër to është me ti¬tull “Seksualiteti i Muhamedit” (faqe 67-68) ku thuhet, citoj: “Apostulli i Allahut, që Allahu ta bekojë atë, tha: Gabrieli solli një kazan nga i cili hëngra dhe mua m’u dha fuqia për marrëdhë¬nie seksuale e barabartë me 40 burra”.3
Si përgjigje ndaj tyre, së pari mund të cekim Fjalën e Allahut të Lartmadhëruar në Kuranin famëlartë:
“Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, e ata nuk thonë tjetër veçse gënjeshtër”. (El-Kehf: 5)
Vërtetë ata janë urrejtës dhe gënjeshtarë, sepse Muhamedi a.s. nuk ka qenë i dhënë pas epshit, por i dërguar nga mesi njerëzor. Është martuar si çdo njeri, që të jetë shembull në ndjekjen e një rruge të njëjtë. Muhamedi a.s. është njeri sikur ata, por atë Allahu xh.sh. e veçoi me shpallje dhe pejgamberi.
“Thuaj (O Muhamed): Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju, mua më shpallet (më është dërguar shpallja)…”. (El-Kehf: 110)
Pejgamberi nuk ka qenë i veçuar nga pejgamberët e tjerë, e as që ka kundërshtuar rrugën e tyre, siç thonë të krishterët: “Ekzi¬ston një dallim i madh ndërmjet Isait dhe Muhamedit, dallim mes atij që zotëronte dhe luftonte epshin e vet si Isai, biri i Merjemes, dhe mes atij që shkonte sipas dëshirës dhe epshit të tij, si Muha¬medi”.4
Këto pohime hipokrite ndaj Muhamedit a.s. mund të joshin disa jomyslimanë shkurtpamës. Edhe më keq, disa myslimanë mund të pranojnë pohime të tilla të rreme dhe t’i përhapin ato, duke menduar se janë duke vepruar drejt.
Vallë, si mund të trillohen këso shpifjesh për pejgamberët, sa fjalë e mirë është fjala e një poeti:
“Nuk është çudi i verbri ta mohojë dritën e diellit.
Nuk është çudi i sëmuri ta mohojë shijen e ujit”.
E vërtetë është Fjala e Allahut xh.sh.:
“…Në të vërtetë sytë nuk verbërohen, po verbërohen zemrat në kraharorë”. (El-Haxh: 46)
Prej mendimtarëve të paanshëm perëndimorë, është Tomas Karlil (1795-1881), një shkrimtar britanez i lindur në Skoci, i cili, në lidhje me këtë, thotë (The Heroes, fq. 83): “Muhamedi kurrë nuk ishte njeri i epsheve, pavarësisht nga akuzat e rreme e të padrejta ndaj tij. Ne kemi bërë një gabim të tmerrshëm, kur e kemi konsideruar si një beduin i cili nuk ka brengë tjetër, përveç arritjes së kënaqësive të tij. Pa dyshim, ai ishte njeriu më i largët prej kënaqësive të jetës”.5
Fakti i parë është që poligamia ishte e zakonshme në shoqërinë arabe dhe joarabe para Islamit. Shumë popuj të tjerë arabë dhe joarabë e praktikuan poligaminë. Pse e trajtojnë të Dërguarin a.s. si rast të veçantë dhe nuk i kushtojnë vëmendje poligamisë në jetët e profetëve izraelitë gjatë gjithë historisë?
Dr. Mustafa Sibai, në librin e tij “Gruaja mes fikhut dhe ligjit” thotë: “Kur isha në Dablin (kryeqyteti i Irlandës) në vitin 1956, vizitova Institutin e Jezuitëve atje dhe pata një diskutim të gjatë me drejtorin e Institutit. E pyeta, “Pse e sulmoni Islamin dhe të Dërguarin e Tij, veçanërisht në librat tuaj shkollorë? Kjo nuk më duket gjë e duhur për këtë kohë, për kohën e kuptimit në mes njerëzve e kulturave të ndryshme”? Ai u përgjigj: “Ne, pe¬rë¬ndimorët nuk mund të respektojmë njeriun që është martuar me nëntë gra!” Iu përgjigja: “A i respektoni profetët e Allahut, Davudin dhe Sulejmanin a.s.?” U përgjigj: “Po të dy janë prej pro¬fetëve të Tevratit”.
I tregova se Davudi a.s. kishte një mijë gra, siç e dimë të gji¬thë. Ndërsa, siç është cekur në Tevrat, profeti i Zotit, Sulejmani a.s. kishte 700 gra të lira edhe 300 robëresha, të cilat ishin prej më të bukurave të kohës. Atëherë, pse duhet të keni respekt ndaj këtyre profetëve, ndërsa e sulmoni të Dërguarin a.s., i cili është martuar vetëm me nëntë gra? Heshti për një kohë dhe pastaj më tha: “Më vjen keq që u shpreha keq. Kisha qëllim të thosha që perëndimorët nuk e rekomandojnë martesën me më shumë se një grua. Neve na duket që personi që praktikon poligaminë, është jonormal apo ka pasion të jashtëzakonshëm”. Pa¬staj e pyeta: ”Ç’mendoni për Davudin e Sulejmanin dhe profetët e tjerë, të cilët praktikuan poligaminë, duke filluar me gjyshin e tyre, Ibra-himin a.s.?” Kështu, heshti dhe nuk më dha përgjigje”.6 Prandaj do të flasim më vonë rreth poligamisë në Bibël.
Do të flas për urtësinë dhe qëllimet e martesës së Pejgamberit Muhamed a.s. me disa gra, duke sjell disa nga argumentet rreth kësaj çështjeje dhe duke shpresuar që të rinjtë tanë, meshkuj e fe-mra, të mos bien pre e disa shpifjeve, dhe disa që kanë qenë të influencuar nga propaganda e gënjeshtrat e qëllimshme kundër Muhamedit a.s. dhe fesë Islame në përgjithësi, të kthehen në rru-gën e drejtë dhe të jenë thellë të bindur që Islami është fe e fuqi¬së, e dinjitetit, dhe që në të nuk ka kurrfarë dyshimi, pavërtetësie.
Ekzistojnë dy pika kryesore, për të shmangur të gjithë ata shpifës të pashpirt të cilët dëshirojnë ta njollosin bartësin e shpalljes, Muhamedin a.s., dhe duhet të heqin çdo lloj dyshimi për personalitetin e Muhamedit a.s., sidomos duhet të jemi syçelë kur bisedojmë për nënat e besimtarëve dhe urtësinë e martesës me to. Zoti qoftë i kënaqur me to.
Këto dy pika, më kryesoret janë:
Pejgamberi- nuk e shtoi numrin e grave, vetëm atëherë kur ai hyri në moshën e pleqërisë- pra pas të pesëdhjetave.
Të gjitha gratë e tij të pastra ishin të veja, përveç Aishes r.a,. e cila ishte beqare.7
Përmes këtyre dy pikave mund të kuptojmë pabazueshmërinë e kësaj akuze që ia mveshin apo ia etiketuan Pejgamberit Muha¬med s.a.v.s. shpifësit e mjerë.
Mbi çdo gjë, duhet të dihet se ai individualiteti i lartë (Muhamedi a.s.) nuk u martua gjer njëzet e pesë vjeç. Po të kemi pa¬rasysh klimën posaçërisht të nxehtë të atij vendi, një jetesë e virtytshme gjer në këtë moshë, tregon se tek ai, virtyti ishte një element bazë, se ai kishte një vullnet të jashtzakonshëm dhe se i zotëronte dëshirat trupore- të gjitha këto, të pranuara pa kusht dje e sot. Po qe se në këtë moment do të ekzistonte edhe shmangia më e vogël, dushmanët e tij të djeshëm e të sotëm nuk do të ngurronin qoftë edhe për një çast për t’ia njoftuar botës këtë gjë. Mi¬rëpo armiqtë e tij të vjetër e të rinj, ndërsa i kanë ngarkuar gjëra të paqena, këtu nuk kanë pasur guxim të thonë diçka.8
Ai jetoi në një klimë jashtëzakonisht të nxehtë, ku dëshirat fizike bëjnë presion të fortë mbi njeriun; ku njerëzit e zhvillojnë pjekurinë fizike shumë herët dhe ku një kënaqje e lehtë ishte gjë e zakonshme për njerëzit e të gjitha klasave. Megjithatë, Muhamedi a.s., asnjëherë nuk iu afrua grave derisa nuk i mbushë njëzet e pe¬së vjet, atëherë kur u martua për herë të parë. Në mbarë Arabinë ai qe i njohur për karakterin e tij të padyshimtë dhe e quanin “El-Emin” (Besnik), epitet që ishte simbol për standardin më të lartë të jetës morale.9
Pejgamberi ynë martesën e parë e bëri në moshën 25 vjeçare. Kjo martesë zgjati 25 vjet, ndërsa mosha i qe afruar të pesëdhje¬tave. Ja pra të gjitha martesat lidhur me të cilat tentohet të posh-tërohet (Muhamedi a.s.), fillojnë pas kësaj moshe.10
Të theksojmë se praktika dëshmon se mosha 25-50 vjeçare është periudhë kur epshet e njeriut janë në kulm, moshë kur nje¬riu më së shumti anon nga gjinia femërore. Muhamedi a.s. e kaloi këtë fazë të jetës së tij duke mos dominuar tek ai epshet dhe asnjë femër tjetër nuk ia bëri ortake zonjës Hatixhe.11
Po të ishte qëllimi i martesave të tij dhënia pas epshit apo plotësimit të dëshirës ose vetëm kënaqësia me gra, ai me siguri do t’i merrte ato në moshën e rinisë e jo në pleqëri, dhe do të martohej me beqaresha e jo me gra të veja e të moshuara.
Transmetohet se Pejgamberi a.s. i tha Xhabirit, të birit të Abdullahut, kur erdhi tek ai, e në fytyrën e tij vërehej gëzimi: “A u martove?” Tha: “Po”. I tha: “Beqare apo të ve?” I tha: “Të ve”. Atëher Pejgamberi a.s. i tha: “Po të kishe marë një beqareshë, do të luaje me të, e ajo do të luante me ty, do të qeshje me të, e ajo do të qeshej me ty”.
Pejgamberi a.s. me këtë rast i propozoi martesën me beqareshë, meqë ai e dinte mirë mënyrën e kënaqjes dhe rrugën e dëshirës dhe a është e logjikshme që dikush të martohet me gra të veja e t’i lërë beqareshat, të martohet në moshë të shtyrë e ta lë mo¬shën e re, nëse ka për qëllim kënaqjen e epshit?
Shtrohet pyetja: Pse Pejgamberi a.s. nuk u martua me shumë gra në moshë të re dhe pse nuk u martua me beqaresha po me gra të veja? Pa dyshim se ky qëndrim hedh poshtë çdo thashetheme dhe shpifje nga njerëz, të cilët dëshirojnë ta njollosin autoritetin e pastër të Muhamedit a.s.12
Se Pejgamberi a.s. nuk ishte i dhënë pas epsheve, siç e aku¬zojnë disa, e vërteton fakti se, kur mushrikët kurejshë ia ofruan vajzën më të bukur vetëm e vetëm ta braktiste misionin e tij is¬lam. Muhamedi a.s. asaj oferte iu përgjigj negativisht. Sikur të ishte i dhënë pas epshit, mbase do ta kishte pranuar kërkesën e tyre.13
Martesat e Muhamedit a.s. nuk bëheshin për shkak të epshit a dëshirës, por për arsye të rëndësishme, qëllime të pastra dhe syni¬me të larta, të cilat armiqtë e Islamit do t’i pranonin si të pastra e të larta, po qe se i lënë anash fanatizmin dhe verbërinë e tyre dhe gjykojnë me logjikë të pastër e arsye të shëndoshë.
Abdullah Nasih Ulvan, kur flet për “Martesën e Muhamedit a.s. me më shumë se një grua” i cek disa arsye dhe rrethana që shpunë tek martesa e Muhamedit a.s. me shumë bashkëshorte. Disa prej këtyre fakteve janë: 1. Përhapja e edukimit, 2. Arritja e përkrahjes së Islamit, 3. Perfeksioni i legjislacionit, 4. Solidariteti shoqëror, 5. Forcimi i lidhjeve shoqërore, 6. Forcimi i një shembulli perfekt për myslimanët.14
Dijetarët islamë, duke analizuar thellë këtë çështje kaq të ndjeshme, na bënë me dije se urtësitë dhe motivet e martesave të Muhamedit a.s. ishin kryesisht në katër sfera:
Urtësia e martesës për motive të dijes.
Urtësia e martesës për motive ligjsjellëse(ligjvënës).
Urtësia e martesës me motive politike.
Urtësia e martesës me motive shoqërore.
Urtësia e martesës për motive të dijes
Urtësia e parë apo thelbësore e martesës së Muhamedit a.s. me shumë gra, ishte kualifikimi i një grupi mësuesesh të grave, të cilat do t’ua mësonin grave rregullat themelore të Sheriatit, sepse gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë. Atyre u është bërë obligim çka u është bërë edhe burrave. Shumë prej tyre turpëroheshin ta pyesnin Muhamedin a.s. për disa rregulla islame, sidomos për çështjet që i përkasin natyrës së tyre etj. Ato i kaplonte turpi kur dëshironin ta pyesnin Pejgamberin a.s. për këto rregulla.
Transmetohet nga Aishja r.a. se një grua prej ensarëve e pyeti Pejgamberin a.s. për pastrimin nga të përmuajshmet (hajzi). Pejgamberi e mësoj se si të pastrohet dhe shtoi duke i thënë: “Merr një copë pambuku të parfumosur dhe pastrohu me të”. Ajo i tha: “Si të pastrohem me të, O i dërguar i Zotit. I tha: “Pastro¬hu me të”. Ajo përsëri e pyeti: “Si të pastrohem me të, O i dërguar i Zotit”. Ai i tha asaj: “Subhanallah, pastrohu me të”. Thotë Ai¬shja: “Ia mora asaj pambukun prej dore dhe i thashë: “Vendo¬se në këtë vend dhe ki vëmendje ndaj njollave të gjakut”, dhe ia shpjegova vendin se ku duhej ta vinte atë. Me siguri, Pejgamberi a.s. turpërohej të shprehej haptazi, por gjithashtu edhe prej grave kishte shumë pak që zotëronin vetveten dhe turpin e t’ia qartëso¬nin pyetjet lidhur me atë që u interesonte, ashtu që Pejgamberi a.s. detyrohej të kërkonte sqarim më të madh për pyetjen e shtruar.15
Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi që thonë: “Erdhi Ummi Sulejmi (gruaja e Ebu Talhas) te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i dërguar i Zotit, Allahu xh.sh. nuk turpërohet nga e vërteta. A duhet të pastrohet gruaja nëse përjeton orgazëm në ëndërr? I tha: “Po, nëse sheh lagështi”. Ummi Selemeja tha: “Janë çmend¬ur gratë, e mjera ti, a thua edhe gruaja përjeton orgazëm në ënd¬ërr?” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Posi, me se do t’i përngjajë fëmija asaj?”.
Pejgamberi kishte për qëllim të thoshte se foshnja krijohet prej spermës së burrit dhe vezores së gruas, dhe prandaj ajo i për¬ngjet nënës.16
Përgjigjet për këso pyetjesh komplekse e të ndjeshme, i morën përsipër gratë e tij të pastra. Andaj edhe Aishja r.a. thotë: “Allahu i mëshiroftë gratë e ensarëve, ngaqë nuk i pengonte turpi që të pasuroheshin me dituri fetare”. Kishte prej tyre që në errësirë vinin tek Aishja për ta pyetur për disa rregulla fetare dhe për çështje të hajzit, nifasit, papastërtisë etj.. Kështu gratë e Pejgamberit a.s. ishin mësueset dhe udhëzueset më të dobishme.
Prandaj Pejgamberi a.s. u martua me to, për t’i arsimuar dhe edukuar, për t’ua mësuar Islamin dhe dispozitat e Islamit, në mënyrë që ato t’i kushtoheshin edukimit të beduinëve e qytetarëve, të moshuareve e të rejave dhe në këtë mënyrë ato të bartnin amanetin e mësimit dhe arsimimit islam te bota femërore. Nëpë¬rmjet tyre, gratë fituan dituri në fenë e Allahut xh.sh..
Pra ky qe motivi që gratë e Pejgamberit a.s. të ishin nëna të besimtarëve dhe mësuese të këtij ymeti pas Pejgamberit a.s. në çështjet familjare dhe në ato çështje që kishin të bënin me femrat. Që ato t’ua transmetonin njerëzve gjërat më specifike të jetës shtëpiake të Pejgamberit a.s., nga fakti se në jetën e Pejgamberit a.s. nuk kishte gjëra të fshehta për njerëzit. Nuk ka njeri në histori të cilit i është treguar i gjithë jetëshkrimi pa iu pasë fshehur diçka nga jeta e tij, me përjashtim të Pejgamberit a.s.. Pejgamberi a.s. ka thëhë: “Tregoni, transmetoni nga unë…”, në shenjë arsimimi të ymetit dhe udhëzimi të tij.17
Urtësia e martesës për motive ligjvënëse
Urtësia apo qëllimi i dytë për të cilin do të flasim, është martesa me motive ligjvënëse, që është pjesë e qëllimeve të martesës së Pejgamberit a.s. me shumë gra. Ky qëllim erdhi për largimin e disa traditave paraislame dhe të papëlqyera, si p.sh.: çështja e bi¬rësimit të cilët arabët e aplikonin para ardhjes së Islamit. Një ve¬prim i tillë kishte marrë formën e zakonit fetar që trashëgohej brez pas brezi. Merrte ndokush një fëmijë që nuk ishte nga loza e tij, dhe e konsideronte si të ishte fëmija i tij. E konsideronte djalë të vet, sikur djalin nga gjaku në çdo pikëpamje, në trashigimi, ku¬rorëzim, martesë, në martesa të ndaluara miqësisht, e shumë za¬kone të tjera që ishin bërë zakon fetar në xhahilijet, para islamit.
Kur ndokush birësonte fëmijën e tjetrit, i thoshte: “Ti je biri im, të trashëgoj dhe të më trashëgosh”.
Me ardhjen e Islamit, ai e ndaloj këtë gjë që ishte në kundër¬shtim me natyrën njerëzore dhe nuk i la njerëzit të hutuar në errësirën e injorancës. Pejgamberi a.s. para Shpalljes kishte birë¬su¬ar Zejd bin Harithin, ashtu siç vepronin arabët. Kështu, pra, Muhamedi e birësoi Zejd bin Harithin dhe njerëzit filluan ta thirrnin “Zejd bin Muhamed” (Zejdi i biri i Muhamedit).
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej Abdullah bin Omerit se ai ka thënë: “Me të vërtetë Zejdin, të birin e Harithit, nuk e thirrnin ndryshe veçse Zejd bin Muhamed (Zejdi i biri i Muha-medit) derisa zbriti ajeti kuranor: “Ju thirrni ata sipas etërve të tyre. Kjo është më e drejtë tek Allahu”. Atëherë Muhamedi a.s. i tha: “Ti je Zejdi, i biri i Harithit”.18
Pejgamberi a.s. e martoi Zejdin me vajzën e hallës së vet (Zejneben, të bijën e Xhahshul Esedijes).
Rasti më i volitshëm që gjetën qëllimkëqijtë urrejtës dhe orie¬ntalistët mashtrues, ishte martesa e Pejgamberit me Zejneben, për të shpifur trillimet e veta për Pejgamberin e pastër. Disa prej tri-llimeve që shpifën, janë: gjoja Pejgamberi a.s. e pa Zejneben, e dashuroi e i hyri në zemër, gjoja se Pejgamberi nuk pati turp dhe i mori nusen djalit të Zejdit, e shumë të tjera shpifje.
Muhamedi a.s. e njihte Zejneben qysh nga vegjëlia, sepse ajo ishte e bija e hallës së tij. Kush do të mund ta ndalonte Muhame¬din a.s. e të mos martohej me të? Si mundet që dikujt t’i jepet rasti që të martohej me një beqareshë, e të mos bëjë një gjë të ti¬llë, dhe pasi ajo të martohet e të bëhej e vejë, ta dashurojë?!!
Trillojnë për Pejgamberin a.s. gënjeshtra, shpifje dhe të pavërteta. Me të vërtetë këta janë një popull që nuk logjikojnë dhe thonë diçka që për të nuk dinë.
Urtësia e Allahut xh.sh. ishte që Zejdi të shkurorëzohej nga Zejnebja dhe urdhëroi Muhamedin a.s. ta merrte atë, për ta asgjësuar çështjen e birësimit, t’i vendoste bazat e shëndosha të Islamit dhe të çrrënjoste xhahilijetin.
Pejgamberi frikësohej se hipokritët dhe të këqijtë do të flasin e do të thonë: “Muhamedi e mori gruan e birit të vet”, andaj edhe e zvarriti, e mbajti të fshehur një kohë, derisa erdhi urdhri i Allahut xh.sh. në formë qortuese:
“…E ti e mbaje fsheht në veten tënde atë që All-llahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por më e drejtë është që t’i frikësohesh All-llahut. E pasi që Zejdi e kishte vendosur atë që kishte menduar ndaj saj, Ne ta kurorëzojmë ty atë, e për të mos pasur besimtarët vështirësi (mëkat) në martesë me gratë e të adoptuarve të tyre, kur ata heqin dorë prej ty¬re. E vendimi i All-llahut është kryer”. (El-Ahzab: 37)19
Ashtu siç thoshte Aishja r.a., sikur t’i lejohej Pejgamberit të fshihte diçka nga Revelacioni, do të mbante të fshehur ajetet që urdhëronin martesën e tij me Zejneben. Sigurisht, aq rëndë i ki¬shte ardhur kjo gjë individualitetit profetik.20
Kështu pra mori fund birësimi dhe u flakën shumë zakone që ndiqnin xhahilijetin e që ishin vetëm adete fetare të tyre pa kurr¬farë baze. Pra, martesa e të Dërguarit a.s. me Zejneben ishte bërë për një qëllim juridik e shoqëror, që ishte shfuqizimi i adoptimit. Zbriti fjala e Allahut xh.sh., që e vërtetoi edhe më tepër këtë rre¬gull të ri hyjnor në ajetin 40 të sures El-Ahzab:
“Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu është i dijshëm për çdo send”.Transmeton Buhariu se Zejnebja r.a. shpeshherë krenohej para grave të tjera të Pejgamberit a.s. duke thënë: “Juve ju martuan prindërit (familjet) tuaja, ndërsa mua më martoi Allahu xh.sh.”.
Ja, kështu kjo martesë u bë për shkaqe legjislative, ligjvënëse dhe me Urdhrin e të Urtit e të Gjithëdijshmit. I lartësuar qoftë Allahu xh.sh. nga ata që përzihen në qëllimet e Tij dhe e vërtetë është fjala e Allahut xh.sh. kur thotë:
“… E juve ju është dhënë vetëm pak dije”. (El-Isra: 85)
Urtësia e martesës me motive politike
Urtësia e tretë është qëllimi politik. Shkaku i këtyre martesave ishte që Pejgamberi a.s. t’ua zbuste zemrat disa kundërshtarë¬ve të tij dhe të bëjë afrimin e disa fiseve rreth vetes. Natyrisht, kur dikush e marton një vajzë të një fisi apo familjeje, atëherë në mes tyre lidhet miqësia dhe ata duhet ta ndihmojnë dhe ta mbro¬jnë atë. Në vazhdim do të japim disa shembuj, që do ta bëjnë të qartë shkakun e martesave të Pejgamberit a.s. me disa prej tyre.
a) Shembulli i parë është se Pejgamberi a.s. u martua me Xhu¬vej¬rijen, të bijën e Harithit, kryetar i fisit Beni Mustalak. Ajo bashkë me popullin e saj, u zu rob nga ana e myslimanëve. Meqë u robërua, ajo dëshironte ta paguante veten, erdhi te Pejgamberi a.s. dhe kërkoi t’i ndihmonte me pasuri. Pejga¬mb¬eri a.s. kërkoi që t’ia paguante çmimin e lirimit e të mar¬tohej me të dhe ajo pranoi një gjë të tillë. Myslimanët thanë: “A i kemi robëruar miqtë e Resulullahut”? I liruan të gjithë të ro¬bëruarit dhe, kur panë pjesëtarët e fisit Beni Mustalak këtë mirësi dhe humanitet, të gjithë e pranuan Islamin dhe u bënë prej myslimanëve të mirë.
Martesa e Pejgamberit a.s. me Xhuvejrijen ishte begati e ma¬dhe, sepse ajo ishte shkaktare që fisi i saj pranoi Islamin dhe u lirua, dhe sidomos bujaria e saj në mesin e popullit të vet ishte faktori më bindës. E gjithë kjo ngjarje është e përshkruar në sahihun e Buhariut, të përcjellë nga Aishja r.a.21
Kështu myslimanët i liruan të gjithë robërit, dhe numri i tyre arriti në njëqind familje që pranuan Islamin për shkak të martesës së Pejgamberit a.s. me bijën e kryetarit.
b) Gjithashtu në shembullin e dytë Muhamedi a.s. u martua me Safijen, të bijën e Hujej bin Ahtabit. Ajo u robërua pas vra¬sjes së burrit të saj në luftën e Hajberit dhe u ra hise disa myslimanëve. Pas një konsultimi ata thanë: “Kjo grua është e parisë së fisit Beni Kurejdha dhe këtë çështje duhet t’ia para¬qesim Resulullahut”.
Pejgamberi a.s. e thirri atë dhe i ofroi dy zgjidhje:
1. Ta lirojë dhe të martohet me të, ose
2. Ta lirojë dhe të kthehet tek familja.
Ajo, kur e pa sjelljen e Muhamedit a.s. dhe shëmbëlltyrën e tij, e pranoi lirimin dhe martesën me të. Me kalimin e saj në Islam, shumë njerëz nga populli i saj pranuan këtë fe.
c) Shembulli i tretë po ashtu lidhet me një qëllim politik. Kur Pe¬jgamberi a.s. u martua me Ummi Habiben (Remle bint Ebu Sufjan), Ebu Sufjani ishte bartës i flamurit të shirkut dhe ar¬miku më i përbetuar i Muhamedit a.s.. Vajza e tij e pranoi Is¬lamin qysh në Mekë. Më vonë, ajo bashkë me burrin e saj, bëri hixhret në Abisini për ta ruajtur fenë e vet. Atje asaj i vdiq burri dhe mbeti e vetme, pa shoqërues dhe ndihmës. Kur mori vesh Pejgamberi a.s. për këtë, kërkoi nga mbreti i Abi¬sinisë, Nexhashiu, që ta merrte për grua. Kur e lajmëroi Ne¬xhashiu, ajo u gëzua pa masë sa që gëzimin e saj nuk mund ta vlerësonte askush tjetër pos Allahut xh.sh.. U gëzua, sepse, nëse kthehej te familja e vet, ata do ta detyronin ta braktiste Islamin e të kthehej në kufër, apo do ta dënonin rreptë. Për të, Pejgamberi a.s. dha 400 dinarë sadaka (mehr) po edhe disa dhurata të tjera. Kur u khye në Medine, e mori për grua Pej¬gamberi a.s.
Kur i shkoi lajmi Ebu Sufjanit, ai sikur pëlqeu një gjë të tillë dhe tha: “S’është punë të mashtrohet ky djalë”. Bile ai u krenua me Pejgamberin a.s. dhe nuk mohoi një gjë të tillë, derisa Allahu xh.sh. e udhëzoi në Islam.
Këtu pra shihet rëndësia e qëllimit të martesës së Pejgamberit a.s. me bijën e Ebu Sufjanit. Sidomos kjo martesë ndikoi shumë në zbutjen e mundimeve ndaj myslimanëve, posaçërisht kur midis këtyre të dyve u lidhën miqësia dhe afërsia. Edhe pse Ebu Sufjani atëbotë ishte armiku më i përbetuar i Muhamedit a.s. dhe i mysli¬manëve nga familja Beni Umejëve, martesa me bijën e tij e zbuti zemrën e tij, të fisit dhe të të afërmeve të tij. Sidomos martesa e saj me Pejgamberin a.s. ishte nderim i madh ndaj Ummi Habibes për imanin e saj, sepse ajo braktisi shtëpinë për hir të Fesë Isla¬me. A thua mund të ketë veprime më të drejta dhe urtësi më të madhe?!!22
4. Urtësia e martesës me motive shoqërore
Qëllimi i katërt është me motive shoqërorë. Ky qëllim vërehet qartë në martesën e Pejgamberit a.s. me bijën e Ebu Bekrit r.a. dhe me të bijën e Omerit r.a.. Gjithashtu edhe lidhja e Pejgambe¬rit a.s. me kurejshitët fisërisht dhe miqësisht , me anë të martesës me disa nga bijat e tyre, u bë një lidhje shumë e fortë. Kjo miqësi bëri që shumë zemra të bashkoheshin rreth tij dhe thirrjes së tij për Islam, me plot bindje dhe krenari.
Transmeton Tirmidhiu, kur Muhamedi a.s. tregon vlerën nje¬rëzore të Ebu Bekrit, që pati thënë: “Çdokush që shtrin dorën (e ndihmës), atë do t’ia kompensojë Allahu xh.sh. Ditën e Kijametit. Nuk kam pasur dobi prej asnjë pasurie, si prej asaj të Ebu Bekrit. Nuk ia kam paraqitur Islamin askujt e të mos ketë pasur rezervë, përveç Ebu Bekrit, i cili pa u hamendur, e pranoi atë. Po ta kisha marrë si të dashur ndokënd, do ta merrja Ebu Bekrin si të da¬shur. Dijeni se ky shok juaji është i dashur i Zotit”.23
Dhurata më e madhe që i dha Pejgamberi a.s. Ebu Bekrit në këtë botë dhe që e qetësoi shpirtërisht, ishte martesa me të bijën e tij, Aishen r.a.. Kjo martesë ndërmjet tyre lidhi një miqësi dhe afrim që edhe më tepër ua forcoi dashurinë dhe lidhjen që kishin më përpara.
Poashtu Pejgamberi a.s. mori për grua Hafsen, të bijën e Om¬erit r.a., dhe kjo martesë ishte qetësi shpirtërore për babanë e saj, për shkak të Islamit të tij, drejtësisë, sinqeritetit dhe sakrifikimit të tij për këtë fe. Omeri r.a. ishte hero i Islamit dhe me të Allahu xh.sh. forcoi edhe më tepër Islamin dhe myslimanët, dhe kështu u ngrit lart flamuri i Fesë Islame.
Gjithashtu Pejgamberi a.s. u bëri nder Uthmanit dhe Aliut r.a. kur i martoi me ta bijat e veta.
Këta të katër janë shokët më të ngushtë të Pejgamberit a.s. dhe halifët pas tij në përhapjen e fesë dhe thirrjes Islame. Sa ur¬tësi e mirë dhe qëllim fisnik!24
Këto ishin disa qëllime të Muhamedit a.s. të martesës së tij me shumë gra, e jo siç thoshin shpifësit dhe gënjeshtarët në trilli¬met e tyre!
Hatixhe bint Huvejlid ishte gruaja e parë e Muhamedit a.s., të cilën e mori para Shpalljes. Kur u martua, Muhamedi a.s. ishte 25 vjeç, kurse Hatixheja 40 vjeç. Ajo qe e para që inicoi marrëveshj-en e martesës, ndërsa Pejgamberi a.s. e pranoi propozimin e mar¬tesës.25
Para se të martohej me Pejgamberin a.s., ajo kishte qenë e martuar dy herë. Herën e parë me Ebu Hale bin Zeraren, e herën tjetër me Atik bin Aidhin.26
Muhamedi a.s. kishte 25 vjetë martesë me gruan e tij të parë Hatixhen, e jo 5 vjet siç shkruan në librin “Muhamedi- A është profet?”, të autorit Josef Smith, citoj: “Muhamedi kishte 5 vjet martesë me gruan e tij të parë Hatixhen”.27
Në këtë libër po ashtu do të gjeni shumë shpifje të tjera rreth Muhamedit a.s., e njëra është rreth grave të Muhamedit a.s..
Hatixheja me Pejgamberin jetoi 25 vjet, 15 para shpalljes dhe 10 pas saj. Pejgamberi a.s. nuk u martua me ndonjë grua tjetër de¬risa e kishte Hatixhen.
Kur Pejgamberi a.s. u martua me Zejneb bint Huzejmen, ajo kishte të kaluar të gjashtëdhjetat. Nuk jetoi me Muhamedin a.s. më tepër se dy vjet.28
Ndërsa për aspektin social të poligamisë, është e njohur që prej arsyeve për lejimin e saj, është mëshira për gratë që nuk mu¬nd të gjenin kujdesje apo strehë, pasi kishin humbur bashkë¬sho¬rtët e tyre.
P.sh., Muhamedi u martua me Ummi Seleme Hind el Mahzu¬mijen, sepse burri i saj ra shehid në luftën e Uhudit. Ajo mbeti me katër jetimë, pa kujdestar dhe pa mbrojtës. Pejgamberi a.s. nuk pa rrugëdalje tjetër për të dhe për fëmijët e saj, përveç të martohej me të. Kur i ofroi fejesë, ajo u shqetësua pak dhe i tha Pejgambe¬rit a.s.: “Unë jam shumë e moshuar jam nënë e katër jetimëve dhe jam shumë xheloze”. Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Sa u përket je¬timëve m’i lër mua dhe e lus Allahun xh.sh. të ta largojë nga zem¬ra jote xhelozinë”, dhe aspak nuk i përmendi vjetët. Pas pëlqimit të saj, e mori Pejgamberi a.s.. Ai kujdesej për edukimin e fëmijë¬ve të saj, ua hapi zemrën e tij të madhe, sa që nuk mendonin fare për humbjen e babait, sepse ata u kompensuan me një baba që ishte edhe më i mëshirshëm se babai i tyre.29
A thua ka vend për të thënë diçka shpifësit e poshtër? A mund të ketë këtu vend epshi dhe dëshire? Apo, mos vallë, edhe këtu nuk gjejnë bujarinë, butësinë, krenarinë, mëshirën, vlerën dhe bamirësinë e Pejgamberit të madh të njerëzimit, i cili erdhi si mëshirë për botët.
Një polemikë e tillë jo e ndershme e misionarëve të krishterë është akuza për pedofili ndaj Profetit Muhamed lidhur me ma¬rtesën e tij me Aishen, derisa ajo ishte e re.
Akuzave të misionarëve të krishterë kundrejt Muhamedit dhe martesës së tij me Aishen, u mungojnë dëshmitë themelore. Po të ishte martesa e tij me Aishen diçka e pazakontë dhe e dyshimtë, do të kishte mospajtime nga ithtarët e tij dhe aq më tepër nga kundërshtarët e tij.
Po të ishte kjo martesë diçka e jashtëligjshme dhe abuzive, siç duan ta paraqesin disa të krishterë, atëherë kundërshtarët e tij do ta përdornin këtë me gjithë qejf në luftën e tyre propaganduese kundër tij. Por diçka e tillë nuk është regjistruar asnjëherë.
Kulturat fetare e lejojnë qartë martesën nëse personat kanë mbërritur pjekurinë seksuale. Është irelevante mosha e caktuar legalisht në vende të ndryshme se kur u lejohet të rinjve ligjërisht që të kenë lidhje seksuale. Edhe këtu ka dallime të shumta. Në Ja¬poni p.sh. mosha prej kur njerëzit ligjërisht mund të kenë lidhje seksuale është 13 vjeç, kurse në Spanjë mosha 12 vjeç. Kjo gjith¬mo-në varet nga pjekuria seksuale dhe relacioni i dyanshëm.30
Sidoqoftë, Aishja ishte më e reja prej grave fisnike të Pejga¬mberit a.s. dhe pa dyshim më e zgjuara prej tyre. Me zgjuarsinë dhe dijen e saj, ajo ua kishte kaluar edhe shumë burrave. Shumë prej ashabëve të Pejgamberit a.s. shkonin dhe kërkonin prej Ai¬shes, që t’ua shpjegonte shumë prej dispozitave fetare.
Urvete bin Zubejri thotë: ‘Nuk kam parë grua më të dijshme në lëmin e fikhut, mjekësisë dhe poezisë se Aishja r.a.”. Kjo nuk është aspak e çuditshme, ngase të gjitha koleksionet e Hadithit dëshmojnë për një gjë të tillë. Vetëm dy prej ashabëve kanë trans¬metuar hadithe më shumë se Aishja: Abdullah ibn Amri dhe Ebu Hurejra.
Transmetuesit kanë përmendur që numri i haditheve të trans¬metuara nga gratë e Muhamedit a.s. është më shumë se dy mijë. Aisheja është transmetuesja e numrit më të madh të hadithe¬ve nga gratë e Muhamedit a.s. Ajo transmetoi afërsisht 2210 hadithe. Pastaj Umu Seleme r.a., e cila transmetoi rreth 378 hadithe, ndë¬rsa të tjerat transmetuan rreth 11 hadithe. Ky ndryshim në trans-metimin e haditheve ndodhi ose për shkak të vigjilencës, zgjatjes së jetës familjare apo gjatësisë së jetës pas vdekjes së Muhamedit a.s. Të gjitha këto arsye kanë qenë privilegje të Aishes r.a., pasi ajo ishte më e talentuara prej tyre. Për të përmbledhur, një prej arsyeve të poligamisë së Muhamedit a.s., mund të jetë bashkë¬pu¬ni¬mi i vërtetë në transmetimin e haditheve, pra pjesëmarrja në ndërtimin dhe ruajtjen e Sheriatit e Synetit.31
Roli i Aishes r.a. nuk kufizohej vetëm në transmetimin e haditheve. Ajo u mor edhe me jurisprudencë. Dituria e saj për ju¬ris¬prudencë ishte e tillë, saqë imam Zarkashi thotë: ”Çereku i rre¬gullave juridike janë transmetuar nga Aisheja”. Në të vërtetë, Aisheja ishte një juriste e madhe. Ajo jepte mendimet e saj për çështjet fetare gjatë halifatit të Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit r.a. Njerëzit e pyesnin për shumë gjëra derisa vdiq; dhe gjykatësit shkonin tek ajo që të zgjidhnin disa nga problemet e tyre.32
Pra, gratë me të cilat qe martuar Pejgamberi a.s., që të gjitha ishin vejusha apo gra të ndara, me përjashtim të Aishes. Asnjëra nga ato gra të ndara e vejusha nuk ishte posaçërisht e njohur për bukurinë dhe sharmin e vet. Disa ishin më të moshuara se ai.33
Ai u martua me një femër kopte nga Egjipti, me një hebreje të religjionit dhe të racës së ndryshme, me një vajzë zezake nga Abisinia. Ai nuk ishte i kënaqur vetëm që t’i mësonte njerëzit për vëllazërinë dhe barazinë, por ai atë që ua mësonte, njëkohësisht edhe e mendonte dhe e zbatonte në praktikë.34
Allahu xh.sh. në Kuran thotë:
“Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kishin gra dhe fëmijë”.
Citati kuranor tregon qartazi se edhe pejgamberët e tjerë para Muhamedit a.s. kanë pasur gra dhe fëmijë. Këtë e dëshmon edhe Bibla që tregon në shumë vende poligaminë- martesën më tepër se me një grua:35
a)“Por Sarai, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar. Kështu Sa¬raj i tha Abramit: “Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbyesja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj”. Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt… mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit. Dhe ai u fut tek Agari, që mbeti me barrë…”.(Zanafilla 16:1-5)
b) “Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean”. (Zanafilla 29:30)
c) “Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë” (Zanafilla 31:17)
d) “Por mbreti Salomon, veç bijës së Faraonit, dashuroi shumë gra të huaja, moabite, amonite, idumeje, sidonie dhe hiteje…. Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind ko-nkubina”. (Mbretërve, 1,11:1,3)
e) “Ata që do të mbijetojnë pas tij, do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë”. (Jobi 27:15)36
Martesa me më shumë gra ishte e lejuar në ligjet e mëparsh¬me. Ibrahimi a.s. u martua me Sarën e pastaj me Haxherën. Ja¬kubi u martua me katër gra: Zelhen, Belhin, Rakelen dhe Lean, pastaj Gedeoni, i biri i Joashit, u martua me shumë gra. Në librin Gjykatësit (8:30) thuhet: “Ai kishte 70 meshkuj që kishin dalë prej kurrizit të tij, sepse ai kishte shumë gra”.37
Përsëri në Dhjatën e Vjetër përmendet se Davudi a.s. ishte martuar me shumë gra (shih: 2 Samuelit 12:8). Emrat e grave të Davudit a.s. janë të përmendura në librin Samueli, 2, 3:2-5).38 Gjithashtu, duke folur për bazat e rregullimit të ndarjes së pasu¬risë së babait midis djemve, flitet për dy gra si diçka normale, pa u quajtur turp (shih: Ligji i Përtërirë, 21: 15-17). Për pasojë, tek feja çifute përfshihet martesa me shumë gra.39 Më tepër, shih edhe citatet kur flasin për Poligamin tek: Zanafilla 4;19/ 25:6/ 26:34/; 1 Samuelit 1:1-2; 2 Samueli 12:7-8; 1 Kronikave 4:5; 2 Kroni¬kave 11:21/ 13:21/ 24:3; Mateu 25:1, etj.
Gjatë kohës së shpalljeve biblike, poligamia u pranua në pikëpamje religjioze, sociale dhe morale, pa kurrfarë vërejtjeje. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse vetë Bibla nuk merret me këtë çështje, pra, për arsye se kjo në atë kohë ishte gjë e zakonshme. Bibla këtë as nuk e ndalon, nuk e rregullon, e madje as nuk e ku¬fizon.40
Në besimin hebre një njeri mund të kishte disa qindra gra. Ungjilli nuk sjell asnjë dispozitë lidhur me këtë çështje, ndërsa Tevrati lejon haptazi poligaminë. Gjithnjë deri nga gjysma e shekullit tetë dhe koha e Charlemagneit, poligamia ishte fenomen i zakonshëm në Evropë dhe kisha këtë nuk e gjykonte.41
Hebraizmi lejoi poligaminë e pakufizuar. Të gjithë profetët e përmendur në Tevrat, pa përjashtim, patën shumë gra.
Mendimtari egjiptian, Abas Mahmud el-Akadi, në librin e tij “Të vërtetat e Islamit dhe të pavërtetat e armiqve të tij” thotë: “Nuk ka poligami të kufizuar në Tevrat ose në Bibël; ajo është e lejuar dhe u atribuohet vetë profetëve, duke filluar nga profeti Ibrahim e deri tek lindja e Isait”.42
Për sa i përket Krishterimit; nuk ka tekst të qartë, që ta ndalo¬jë poligaminë. Por në disa nga Letrat e Palit, ka dëshmi që tregon se poligamia është e lejuar. Ai thotë: “… është e obligueshme për peshkopin të ketë vetëm një grua”.
Është vërtetuar historikisht që disa të krishterë të hershëm martoheshin me më shumë se një grua, dhe në mesin e themelu¬esve të hershëm të kishës, kishte prej atyre që kishin disa gra.43
Askush nuk ka të drejtë të thotë se Krishterimi është ai që i detyroi botës qytetare perëndimore vetëm me një grua. Përveç statusit të peshkopëve dhe dhjakëve, Krishterimi nuk e ka ndaluar haptazi martesën me shumë gra. (shih: Timoteut 1, 3:2,12)… Asnjëri nga Koncilët e shekujve të parë të Krishterimit nuk i pati dalë kundër martesës me shumë gra.
Në mjaft raste, vetë Luteri (themelues i Protestantizmit) flet për martesën me shumë gra me mjaft tolerancë: kjo gjë (martesa me shumë gra) nuk është e ndaluar nga Zoti… Pa dyshim martesa me shumë gra parapëlqehët ndaj divorcit. (Koestlin, Martin Lu¬ther, I, fq.347, dhe II, fq. 693)44
Nëse, pra, qenka kështu, atëherë përse gojëkëqijtë ngritën kaq pluhur për Muhamedin a.s. dhe për numrin e bashkëshorteve të tij dhe folën fjalë aq të ndyta?!
Allahu i Plotfuqishëm (në kaptinën El-Haxh, ajeti 46), për të tillët tha: “Në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen ze¬mrat në kraharor”. Në të gjitha gratë e Pejgamberit a.s., nëse studiohet qëllimi i martesës i çdonjërës prej tyre, do të gjejmë urtësi, nga të cilat Pejgamberi a.s. ka synuar të arrinte diçka. Pejgamberi a.s. nuk është martuar me to për shkak të epshit, kënaqësisë ose për shkak të të mirave të kësaj bote, por filozofia e martesës së tij me ato, ka qe¬në interesi që i ka lidhur njerëzit me këtë fe.
Ky ishte synimi i Pejgamberit a.s., sepse deshi t’i bashkonte ato familjet e bashkëshorteve të tij dhe t’i nxiste në Islam, të bënte lidhjen e tyre me këtë fe, e të zgjidhte problemet e shumta shoqërore e njerëzore me anë të martesave.
Siç dihet, Pejgamberi a.s. ishte shembull për myslimanët në të gjitha segmentet, që kanë të bëjnë me këtë jetë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për çështje fetare apo jetësore. Në mesin e atyre çë-shtjeve ishte mënyra e sjelljes së bashkëshortit me bashkëshorten dhe familjen e tij.
Myslimani ka shembullin e tij të mirë në Pejgamberin a.s., kur është si bashkëshort i gruas së ve, beqare, të re ose në moshë, e bukur qoftë ose jo, arabe qoftë ose jo, bijë e shokut apo e armikut.45
Kushdo që të jetë, mik a armik, që dyshon në integritetin mo¬ral apo në shkelqësinë shpirtërore të Muhamedit a.s. lidhur me martesat e tij, duhet t’u gjejë përgjigje adekuate pyetjeve që vijo¬jnë:
Pse e bëri martesën e parë në moshën njëzetepesëvjeçare, pa pasur kurrfarë kontakti me ndonjë femër më parë? Pse zgjodhi një grua që ishte dy herë vejushë dhe pesëmbëdhjetë vjet më e moshuar se ai? Pse mbeti vetëm me të deri në vdekjen e saj, duke marrë parasysh se kishte mbi pesëdhjetë vjet? Pse i mori të gjitha këto vejusha dhe gra të ndara të pandihmuara, të cilat nuk pose¬donin kurrfarë vlerash përkatëse? Pse bëri një jetë të tillë të vra¬zhdë dhe të rëndë, kur pati mundësi të jetonte një jetë të lehtë dhe konfore? Pse shumicën e martesave të tij i lidhi në pesë vitet më të zëna të jetës së tij, kur misioni dhe karriera e tij ishin në rrezik? Si ia arriti të ishte ai që ishte, po ta kishte kapluar jeta e haremit dhe epshet? Ka edhe shumë pyetje të këtilla. Kjo çështje nuk është aq e thjeshtë sa të mund të interpretohet vetëm me anë të dashurisë mashkullore dhe dëshirës për gra. Kjo është një thirrje për mendim dhe analizë më të thellë.46
Pa dyshim, vetëm njerëzit pa cilësi të mira mund të flasin dhe të shpifin kundër Muhamedit a.s.. Prandaj akuzat dhe shpifjet gji¬thnjë i janë bërë Muhamedit a.s. nga njerëz të një lloji dhe soji të ulët.
Po e përfundoj me fjalët e Allahut xh.sh.:
“Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të, ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket”. (Enbija: 18)
“Ata duan ta shuajnë dritën e All-llahut me gojët e tyre, po All-llahu e plotëson (e përhap) dritën e Vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët. Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërgu¬arin e vet me udhëzim të qartë e fe të vërtetë, për ta bërë mbizotërues mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë”. (Saff: 8-9)
Prandaj, kërkesa jonë e fundit është: “Gjithë falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!”.
________________________
Literatura e shfrytëzuar:
Kur’ani- Përkthim me komentin i H. Sherif Ahmetit.
Bibla- Diodati i Ri, përkthim 1991-94.
Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, Tiranë 1998
Dyshimet dhe të pavërtetat rreth shumësisë së grave të Pejgamberit a.s., Muhamed Ali Sabuni, Tiranë 2000.
Muhamedi- A është Profet?, Joseph Smith, Prishtinë 2001.
www.islamidhekrishterimi.com
Nën hijen e Besimit-2, M. Fethullah Gylen, Tiranë 2004.
Nektari i vulosur i Xhennetit, Saffijurrahman El-Mubarekkfuri, Pri¬shtinë 2001.
Besueshmëria e citateve Kur’anore dhe atyre Biblike, Tahir Kukaj, Prishtinë 2005
200+ ways the Quran corrects the Bible, Mohamed Ghonem, Brooklyn NY.
Edukata Islame, viti XXXV, nr. 77, Prishtinë 2005
Islami në Fokus, Hamude Abdulati, Shkup 2000
Fetva Bashkohore II, Dr. Jusuf Kardavi, Prishtinë 2002
Islami dhe Civilizimi Perëndimorë, Sejjid Muxhteba Musavi Llari, Gjilan 2004
E drejta familjare në Islam, Irfan Abazi, Taxhedin Beslimi, Faredin Ebibi, Jusuf Zimeri, Shkup 1996
Gruaja në Islam, prof. Dr. Beqir Topallogllu, Stamboll 2000
Edukata Islame, nr. 78, Prishtinë 2006
Triumfi i të Vërtetës, Rahmetullah El-Hindi.
Fusnotat:
1 Citimet janë marrë nga Kur’ani- Përkthim me komentin i H. Sherif Ahmetit.
2 Dyshimet dhe të pavërtetat rreth shumësisë së grave të Pejgamberit a.s., Muha¬med Ali Sabuni, fq. 7-8.
3 Muhamedi- A është Profet?, Joseph Smith, fq. 67-68
4 Muhamed Ali Sabuni, fq. 8
5 Edukata Islame, nr. 78, fq. 51-52
6 Po aty, fq. 52-53
7 Muhamed Ali Sabuni, fq. 9
8 Nën hijen e Besimit-2, M. Fethullah Gylen, fq. 108-109
9 Islami në Fokus, fq. 338
10 Shih, Nektari i vulosur i Xhennetit, Saffijurrahman El-Mubarekkfuri, fq. 136, dhe Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 50
11 E drejta Familjare në Islam, fq. 157
12 Muhamed Ali Sabuni, fq. 10
13 E drejta Familjare në Islam, fq. 156-157
14 Edukata Islame, nr. 78, fq. 55
15 Muhamed Ali Sabuni, fq. 13, shih edhe tek Edukata Islame, nr. 78, fq. 55
16 Po aty, fq. 13-14
17 Fetva Bashkohore II, fq. 198
18 Muhamed Ali Sabuni, fq. 15-16
19 Po aty, fq. 16, poashtu shih Nektari i vulosur i xhennetit, fq. 557-558
20 Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 58-59
21 Muhamed Ali Sabuni, fq. 20, shih edhe tek Edukata Islame, nr. 78, fq. 56-57.
22 Po aty, fq. 22-23.
23 Po aty, fq. 18.
24 Po aty, fq. 19.
25 Islami në Fokus, fq. 339, dhe Nektari i vulosur i xhennetit, fq. 68.
26 Muhamed Ali Sabuni, fq. 25, dhe shih Nektari i vulosur i Xhennetit.
27 Muhamedi- A është Profet?, Joseph Smith, fq. 65
28 Muhamed Ali Sabuni, fq. 31.
29 Po aty, fq. 35.
30 Po aty.
31 Edukata Islame, nr. 78, fq. 61.
32 Po aty, fq. 71.
33 Islami në Fokus, fq. 341.
34 Po aty, fq. 345.
35 Citimet janë marrë nga Bibla- Diodati i Ri, përkthim 1991-94.
36 Për më tepër rreth Poligamisë në Bibël, shih tek: Besueshmëria e citateve Kur’anore dhe atyre Biblike, fq. 147-150, dhe 200+ ways the Quran corrects the Bible, fq. 76-77.
37 Triumfi i të vërtetës, fq. 154
38 Po aty, fq. 154
39 Gruaja në Islam, fq. 102
40 Islami në Fokus, fq. 320
41 Islami dhe civilizimi perendimor, fq. 172
42 Edukata Islame, nr. 77, fq. 142
43 Po aty, fq. 142
44 Gruaja në Islam, fq. 107-108
45 Fetva Bashkohore II, fq. 199
46 Islami në Fokus, fq. 341-342
Postuar nga Bibla dhe Kurani March 12 2008 |