Fermeret e mjedrës të zhgënjyer (video)

0
347

Armend Pestisha, për vite me radhë, në tokën e tij kishte mbjellë grurë. Por vitin e kaluar, në këtë sipërfaqe prej 80 ari tokë, ai mbolli mjedra, bën të ditur emisioni “038” i KTV-së.

Pestisha mendoi se fitimet nga kultivimi i saj do të rriten dhe planifikoi që edhe ta zgjerojë sipërfaqen me mjedra. Por këtë vit Pestisha nuk do ta bëjë një gjë të tillë, pavarësisht planifikimeve, pasi thotë se çmimi i saj ra në treg dhe më shumë pati humbje.

Pestisha thotë se edhe fermerët tjerë janë të zhgënjyer dhe, sipas tij, nuk do të ketë zgjerim të kultivimit të mjedrës në fshatrat e Prishtinës.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në anën tjetër, thotë se në tokat bujqësore që i ka Komuna e Prishtinës, këtë vit mund të mbillen edhe kultura të tjera bujqësore. Derisa për problemet në kultivimin e mjedrës thotë se institucionet u ngutën me subvencione, pasi, sipas tij, fillimisht do të duhej të trajnoheshin fermerët.

Komuna e Prishtinës këtë vit ka ndarë 456 mijë euro për subvencione në bujqësi, 50 mijë nga të cilat për kultivuesit e mjedrës. Me këto mjete do të investohet në sistemin mbrojtës nga breshëri.