‘Ferronikeli’ pret ndihmë nga Qeveria

Përfaqësuesit e kompanisë “Ferronikeli” në Drenas i kanë vënë të gjitha shpresat nga Qeveria e Kosovës, për t’i ndihmuar të dalin nga kriza.

Kjo kompani që ka rreth 900 punëtorë, ka më shumë se një muaj që ndërpreu punimet për shkak të krizës së shitjes së metaleve dhe rënie së nikelit në nivel global.

Por, për të ndihmuar këtë kompani Ministria e Financave ka formuar një grup ekspertësh, të cilët do të vlerësojnë të gjitha modalitetet se mund të dalë nga kriza ky gjigant ekonomik kosovar.

Lindita Daija, zëdhënëse në Ferronikel, ka thënë për gazetën “Zëri” se menaxhmenti i kompanisë është duke bashkëpunuar me grupin e ekspertëve për të gjetur zgjidhjen se si mund të dalin nga kriza. Ajo thotë se përfaqësues të kompanisë janë të kënaqur me Qeverinë e Kosovës, të cilët kanë shprehur interesim që të ndihmojnë këtë kompani.

“Jemi ende në mes të diskutimeve dhe nuk mund të them se ndihma mund të jetë financiare, pasi që mund të këtë edhe lehtësime të tjera që Qeveria mund të bëjë për bizneset e kësaj kategorive. Duhet të keni parasysh se në gjithë tregun botëror është një krizë globale në tregun e metaleve. Shumë kompani botërore janë duke u mbyllur dhe duke i larguar punëtorët. Në një situatë të ngjashme jemi prekur edhe ne nga kjo krizë duke ditur faktin se produkti ynë eksportohet 100 për qind”, tha ajo.

Artikulli paraprakNait Hasani e krahason PDK’në me partitë komuniste për mbylljen e lidershipit
Artikulli vijuesNuk dorëzohet Rukolli: Do ta hapë lokalin