Për nderë të Festës së Fitër Bajramit, Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë organizoi manifestimin tradicional ‘’Bakllava e Bajramit’’, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin organizuar sot në Shkup morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, jetës politike, korit diplomatik, shoqërisë civile, të jetës akademike, muftinj dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalimin përshëndetës të bërë në pranimin, Kryetari i BFI-së Sulejman Efendi Rexhepi, duke iu falënderuar të pranishmëve për pjesëmarrjen e tyre në pranimin dhe për urimet e tyre, të gjithë pjesëtarëve të fesë islame ua uroi festën e Fitër Bajramit.
Kryetari i BFI-së Sulejman Efendi RexhepiKryetari i BFI-së Sulejman Efendi Rexhepi
“Festa e Fitër Bajramit është festë e cila predikon, sugjeron, udhëzon në harmoni, liri, marrëdhënie të mira ndërfetare dhe ndëretnike. Sepse Maqedonia është një shtet multinacional dhe multikonfesional. Kjo është një begati e madhe nga Allahu fuqiplotë”, u shpreh Rexhepi dhe shtoi se kjo duhet shikuar si një “nimet, bereqet”.
Kreu i BFI-së theksoi se vetëm nëse ruhet struktura multinacionale dhe multikonfesionale e Maqedonisë mund të jetohet së bashku në këtë vend.
“Vetëm së bashku, duke e ruajtur paqen dhe unitetin, respektin e ndërsjellë pa marrë parasysh përkatësinë fetare apo kombëtare mund ta çojmë vendin përpara”, tha Rexhepi. Ai gjithashtu bëri të ditur se tashmë ky takim është bërë traditë dhe është rasti më i mirë që të takohen të gjithë.
Pas fjalimit të Kryetarit të BFI-së Sulejman Rexhepi, si pjesë e këtij manifestimi tradicional të pranishmit provuan bakllavanë e Fitër Bajramit.