Fiks Fare: Prodhimi i qofteve, pula dhe derri shiten për gjedhë

Dhjamë derri, pastë pule, stomak pule dhe erëza. Këta janë përbërsit e qofteve që shiten në rrugët dhe tregjet e Tiranës. Tregtarët mashtrojnë me etiketat ku reklamojnë se qoftet kanë përmbajtje me mishi viçi. Vendin e mishit të viçit e kanë zënë stomakët e pulave dhe dhjami i derrit.

Tirana, por dhe shumë qytete të tjera, janë kthyer në një qebaptore të madhe, pasi qoftja është një nga produktet që konsumohet nga të gjitha shtresat dhe moshat. Nisur nga fakti që në çdo rrugë kryesore të kryeqytetit, skarat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, “Fiks Fare” realizoi një investigim mbi mënyrën e prodhimit të qofteve, me çfarë mishi përgatiten, përbërësit që i hidhen brenda gjatë përpunimit dhe kushtet higjieno-sanitare.

Vëzhgimi u krye në disa rrugë kryesore, si ajo e Kavajës, e Durrësit, qendra e Tiranës, etj, ku çmimi i një qofteje varion nga 20-25 lekë. Çmimi i lirë lidhet edhe me konsumimin e saj në masë.

Në të gjithë vendin janë 52 punishte të përpunimit të mishit. Numri më i madh i tyre është përqëndruar në qarkun e Tiranës. Plot 34. Në këto kushte, gazetarët e “Fiksit” shkuan në një nga pikat e prodhimit të qofteve, që ndodhet pikërisht në Laprakë e që i nxjerr në treg me etiketën “Xhois”.

Në këtë punishte u bisedua me prodhuesin, i cili pretendon që shet qofte me mish gjedhi. Të tillë edhe e reklamon. “Nuk janë qofte derri, janë gjedhi, janë importi. Kam edhe qofte për hamburger, por ato i marrin shkollat. Ato nuk janë për skarë, janë për fast food”, thotë pronari i punishtes gjatë bisedës me gazetarë e “Fiks Fare”.

Por për të verifikuar fjalët e pronarit të kësaj pike, “Fiks Fare” shkoi në një pikë frigoriferike ngjitur me punishten. Punëtori i frigoriferit tregon sesi prodhohen qoftet. Ai jep formulën e prodhimit të tyre, ku vetëm mish gjedhi nuk ka.

Sipas tij, ata që prodhojnë qoftet u hedhin 70% pastë pule, erëza, stomak pule dhe dhjamë. Punëtori tregon se punishtja që ka xhiruar “Fiks Fare” furnizohet tek ata dhe merr pastë pule, stomak pule dhe shumë pak shpatull derri për të prodhur qoftet.

“Tani, pasta e pulës është gjithë brumë i përgatitur. Përzihet me shpatull derri, hidhen erëzat dhe bëhet qoftja. Kjo nuk ka kockë, as ajo nuk ka kockë. I hidhet 70% pastë pule nga ata që duan të fitojnë, pasi kjo është më e lirë. I hedhin pak mish, i përziejnë dhe hanë mileti”, thotë punëtori i pikës frigoriferike.

Të gjitha këto u verifikuan edhe nga inspektorët e AKU, të cilët ushtruan kontroll në punishten e zbuluar nga “Fiks Fare”, ku vërtetohet se mish gjedhi nuk ka fare.

Gjatë inspektimit, as teknologu dhe as drejtuesi teknik nuk ndodhen në punishte. Pronari i saj, gjatë bisedës me inspektoren, kur ajo e pyet nëse ka përdorur mish gjedhi, ai e mohon një gjë të tillë. Ai pranon se ka përdorur mish derri, stomak pule, etj, por jo mish gjedhi.

Madje, atij i gjendet sasi mishi me datë të kaluar skadence, ngjyrues e shumë produkte të tjera që nuk lejohen. Në këto kushte, gjatë kontrollit të AKU-së, pronari i punishtes i drejtohet bashkëpuntorit të “Fiks Fare”, për të cilin mendon se është inspektor i AKU-së, se a do të marrin ndonjë lekë.

Ai këkron të hyjë në pazar me bashkëpuntorin e “Fiksit”. Gjatë bisedës që bën me të ai lë të kuptohet se grupin e mëparshëm të inspektimit që i kishte shkuar për kontroll e kishte paguar.

“Me thuaj pazarin. Sa do? Ik e bëj muhabet. Grupi që ka qenë përpara ka marrë nga një 50-she. Sa doni ju? 150? A do merrni ndonjë lek ju, apo çfarë do bëni?”, thotë pronari.

Ai shkon edhe më tej kur për të shpëtuar nga penalizimi prezantohet si miku i Kreshnikut dhe disa herë gjatë bisedës me bashkëpunëtorin e “Fiksit” përmend emrin e këtij personi, i cili mban postin e zv/drejtorit të përgjithshëm të AKU-së.

“Jam shoku i ngushtë i Kreshnikut, s’jam duke e marrë fare në telefon. Kreshniku m’i ka bërë. E kam shok të ngushtë. Thuaj tani që është shoku i Kreshnikut”, i drejtohet pronari i punishtes gazetarëve të “Fiks Fare”.

Në fund të këtij kontrolli inspektorët e drejtorisë së AKU-së për Tiranën vendosin të bllokojnë punishten ku prodhoheshin qoftet deri në përfundim të analizave.

Artikulli paraprakOperacioni ‘Mburoja e Eufratit’ vazhdon me vendosmëri
Artikulli vijuesFermeri nga Skenderaj që komplekson këngëtarët me zërin e tij (Video)