Fillon samiti i komisioneve për politikën e jashtme nga shtetet e Evropës

Apostolova: “Kosova ka bërë një progres të dukshëm, duke arritur t’i përmbushë 93 kritere nga 95 të kërkuara për marrjen e liberalizmit të vizave”

Nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot filloi punën Samiti dy-ditor i komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Evropës. Tema të këtij samiti janë perspektivat e zgjerimit të BE-së, përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare si dhe kriza e emigracionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e hapjes, u shpreh se përkundër momenteve kritike që po kalon Bashkimi Evropian, prioritet i Kosovës është integrimi në BE. Ai po ashtu theksoi se BE-ja është shumë më shumë se sa burokracia e një grupi mekanizmash institucional dhe shtoi se ajo është besimi tek demokracia liberale, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe tek shoqëria sekulare, e cila garanton bashkëjetesën mes komuniteteve me kultura dhe religjione të ndryshme.

“Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mirë dhe komunikimit pa barriera. Në të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona, fillimisht të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke mes nesh”, tha Veseli.

Nataliya Apostolova, përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë tha se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të investojë për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës, ashtu edhe si të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo po ashtu u shprehu se Kosova ka bërë një progres të dukshëm, duke arritur t’i përmbushë 93 kritere nga 95 të kërkuara për marrjen e liberalizmit të vizave. Megjithatë, sipas saj çelësi i liberalizimit të vizave është në duart e politikanëve të Kosovës.

“Me qëllim që të bëhet miratimi i marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të ndërmarrin masa më të fuqishme në luftën kundër korrupsionit, inkurajoj politikanët e Qeverisë së Kosovës, ata të pozitës dhe të opozitës që ta gjejnë konsensusin e nevojshëm në mënyrë që t’i përmbushin edhe dy kushtet e mbetura”, tha Apostolova.

Kurse Tanja Fajon, raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se Kosova ka bërë një progres domethënës në procesin e luftës kundër korrupsionit, por shtoi se duhet punuar edhe më tutje në këtë proces. Ajo po ashtu i ftoi të gjithë parlamentarët e Kosovës që ta mos bllokojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, për shkak të interesave të tyre partiake.

“Ne jemi shumë përgjegjës dhe ne duhet ta vazhdojmë luftën dhe të besojmë që edhe nëse zgjerimi nuk është prioritet është vazhdimësi dhe është detyra jonë për ta zhvilluar”, tha Tajon.

Ndërkaq, Hasan Basri Kurt, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Madh Kombëtar të Turqisë tha se BE-ja duhet të krijojë një qasje të re, pasi që sipas tij në vitet e fundit BE-ja ka humbur kredibilitetin e saj. Si shembull, ai përmendi emigracionin ilegal, duke theksuar se përderisa shumë vende të BE-në dëshironin t’i mbyllnin kufijtë e tyre, Turqia arriti marrëveshjen për pranimin e refugjatëve. Ai po ashtu theksoi se pas tentimit të grusht shtetit në Turqi, kanë pritur një reagim të menjëhershëm dhe shtoi se heshtja e disa vendeve lidhur me këtë tentativë ka qenë shumë dëshpëruese për Turqinë. Së fundi ai vuri në dukje se nëse BE-ja dëshiron të ketë ndikim global, duhet t’i mbajë dyert e saj të hapura.

“Na kanë kritikuar shumë që kemi marrë masa për ta mbrojtur demokracinë tonë. Askush nuk ka shprehur shqetësime të ngjashme kur Franca e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Populli turk e sheh këtë si standard të dyfishtë”, tha Kurt.

Samiti do të vazhdojë edhe të nesërmen, ku tema kyçe e saj do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon.

Artikulli paraprakMuaji i parë i Trumpit ka kaluar me “dhimbje”
Artikulli vijuesMë shumë se një e treta e gjuhëve në botë janë në rrezik