Tuneli më i gjatë hekurudhor nënujor në botë që lidh rajonin e Arktikut me zemrën e Evropës mund të kushtojë deri në 20 miliardë euro dhe do të hapet në vitin 2040.
Pas një studimi fizibiliteti, Finlanda dhe Estonia dëshirojnë të ndërtojnë një lidhje të përhershme nënujore midis dy kryeqyteteve të tyre veriore, të vendosura në anët e kundërta të Gjirit të Finlandës.
FinEst Link do të lidhë aeroportet e qyteteve dhe gjithashtu do të lidhet me Rail Baltica, një linjë midis Talinit dhe Varshavës që do të përfundojë në vitin 2026.
Dhjetëra mijëra estonezë punojnë në rajonin e Helsinkit, shumë prej të cilëve udhëtojnë përgjatë detit gjatë ditëve të javës dhe shumë turistë finlandezë vizitojnë Talin. Tuneli i propozuar prej 103 kilometrash do të shkurtonte kohën e udhëtimit midis Helsinkit dhe Talinit deri në 30 minuta, nga të paktën 90 minuta me traget të shpejtë.
“Estonia do të lidhet me Evropën qendrore … dhe ne nuk duhet të ndalemi këtu”, tha kryeministri i Estonisë Juri Ratas në një konferencë në Tallin. “Kam dëgjuar se shumë njerëz në Finlandë thonë se ndjehen sikur jetojnë në një ishull. Por kjo nuk duhet të jetë kështu.”
Studimi i fizibilitetit vlerësoi se tuneli do të kushtonte 13-20 miliard euro, duke shpresuar se 40 përqind e kostove do të vinin nga Bashkimi Evropian. Qeveritë thanë se do të vlerësonin rezultatet më në detaje gjatë pranverës. /tesheshi.