Në një komunikim të shkurtër me median dje, në dalje të Gjykatës, babai i Dijar Xhemës tregoi se djali i tij kishte marrë makinën dhe ishte larguar në drejtim të Vlorës pa dijeninë e anëtarëve të familjes.
Sipas babait, djali i tij kishte ikur nga plazhi i Golemit me makinë duke udhëtuar drejt Vlorës, ndonëse vuante nga problemet depresive prej vitesh.
“S`ka të bëjë me xhihadistët apo me terroristët.”
Ai nuk ka pasur lidhje me këto gjëra, kur ka qenë i ri ndoshta ka bërë gjëra me makina, por ai vuan nga depresioni që nga viti 2010”, thotë ai, raporton Panorama.
Sipas të dhënave të hetimit, shtetasi nga Mitrovica ka hyrë në Shqipëri në datën 7 korrik 2016, bashkë me dy persona të tjerë, mendohet se deri më 16 gusht 2016 ai ka qëndruar me familjen në plazh në zonën e Golemit e më pas ka marrë makinën duke ikur drejt Vlorës, ku edhe shkaktoi veprimet e dhunshme që ngjallën edhe panik te qytetarët.
Atë ditë policia njoftoi arrestimin e të riut, duke ngritur ndaj tij akuza edhe për terrorizëm. “Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet B.N., N.I. dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës, brenda një harku kohor prej 2 orësh”, theksoi Policia ditën e ngjarjes. Sipas komunikatës së Policisë, këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar” dhe “Do t’ju vras të gjithëve”.
“Personi u lokalizua dhe u neutralizua duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik”, ka bërë me dije Policia. Sipas saj, ky shtetas si gjatë arrestimit, edhe në ambientet e shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e rendit.