Në hulumtimin e kësaj jave rreth fenomenit të fajdeve në Mitrovicë, për emisionin “Drejtësia në Kosovë” flet nëna që vazhdon të kërkojë drejtësi për Muratin dhe Petritin – dy djemtë e saj.
“Kunati na ka thirr në telefon dhe na ka tregu. Unë e kam thirr vëllain, sepse edhe ai ka qenë me ne në det. I kam tregu se më ka vdek djali dhe ju kam lut Zotit të m’i ruajë mentë në kokë”, thotë Sofie Mehana nga Mitrovica, teksa rrëfen momentin kur merr lajmin për vdekjen e Muratit 30-vjeçar.
Por, tragjedia nuk kishte përfunduar me Muratin, i cili dyshohet se e vrau veten më 26 korrikut 2011, në fshatin Bajgorë të Mitrovicës. Pesë javë me vonë, djali tjetër i saj, Petriti 28 vjeç, var vetën në litar – në shtëpinë e tij.
“Isha me gra në shtëpi dhe ka hy burri e më ka pyet se ku është Petriti. I tregova që ka shku m’i marrë do sende në katin e katërt të shtëpisë. Meniherë jemi nisë me shku nalt. Kur shkuam atje, djali veç kish ra në konop”, tha ajo. /kallxo.com