Forumi Musliman i Shqipërisë kundërshton ashpër legalizimin e martesave të së njëjtës gjini

Forumi Musliman i Shqipërisë kundërshton me forcë legalizimin e martesave mes njerëzve me të njëjtin seks

Forumi Musliman i Shqipërisë kundërshton me forcë propozimin e Avokatit të Popullit për të legalizuar martesat mes njerëzve me të njëjtin seks. Kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të shkatërruar institucionin themelor të shoqërisë, familjen. Prej mijëvjeçarësh shoqëritë dhe shteti kanë mbrojtur familjen që krijohet nga martesa mes një burri dhe një gruaje për faktin se vetëm një familje e tillë ka në qendër fëmijët dhe promovon e mbron marrëdhënien baba-nënë-fëmijë, si mjetin e vetëm natyror për krijimin dhe vazhdimin e jetës dhe shoqërisë. Forumi Musliman i Shqipërisë beson se askush nuk ka të drejtën të ripërkufizojë martesën dhe të imponojë një familje pa baba apo pa nënë për fëmijët. Martesa është më shumë se një çështje barazie dhe më shumë se një çështje dashurie. Nuk mund të ketë martesë në marrëdhënie inçestuale, me fëmijë apo edhe brenda të njëjtit seks. Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë mbi këtë përpjekje, e cila nuk merr parasysh fatin e familjes, të fëmijëve dhe të shoqërisë, por ka vendosur në qendër të saj arsye të rrejshme bazuar mbi dëshira dhe asgjë tjetër. Avokati i Popullit dhe agjenda që ai mbron dhe promovon duhet të dinë se martesa është një institucion i ngritur mbi bindjen dhe eksperiencën e gjatë historike të njerëzve përpara se të krijohej shteti, gjykatat apo institucione të tjera. Ajo është themeli i vërtetë i shoqërisë dhe lëvizja e tij apo e pjesëve të tij nuk mund të bëhet nga zyrtarë të emëruar apo të zgjedhur, nga agjenda që promovojnë interesa të tyret, por vetëm nga shumica e popullit. Asnjë institucion shtetëror nuk mund të shpallë të drejtën e tij mbi ripërkufizimin e martesës, këtë mund ta bëjë vetëm një shumicë domethënëse e popullit. Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që të refuzojnë me përbuzje propozime të tilla për të shkatërruar familjen, marrëdhënien baba-nënë-fëmijë dhe gjithë shoqërinë. Ne i kërkojmë gjithashtu të gjitha Komuniteteve fetare të pranishme në vend të bashkohen kundër kësaj nisme anormale. Forumi i Kërkon Avokatit të Popullit të mos promovojë agjenda të tilla dhe të mos propozojë ide apo ligje që kërkojnë të ripërkufizojnë njeriun, shoqërinë, familjen dhe shtetin./kohaislame

Artikulli paraprakRrahje për shkak të kredisë në Gjilan
Artikulli vijues(Video) Gjilan: Kandidati për asamble nga PDK kundër Fesë Islame