Florentin Bajrami pranon fajësinë: Gabova që shkova në Siri

Pasi Florentin Bajramit iu lexua aktakuza nga prokurori special Ali Rexha, ai pranoi fajësinë për veprën për të cilën akuzohet.​ I riu nga Gjilani shfaqi pendesë në gjykatë.
“E di për çka akuzohem dhe pranimin e fajësisë e kam bërë vullnetarisht dhe di të ju them që kur kam arritur në atë vend, e kam pa që kam gabuar dhe menjëherë kam fillu tentativat që të kthehem në familjen time dhe vendin tim, por ka qenë e pamundur,” tha Bajrami.

I akuzuari tha se është përpjekur vazhdimisht të kthehet në Kosovë pas shkuarjes në Siri, por është penguar, shkruan Kallxo.com.

“Kam qëndruar afër 1 vjet në Siri dhe sa herë kam dashur të vi për Kosovë më kanë futur në burg, duke ma bërë të pamundur ardhjen,” tha ai.

Selami Rexhepi, avokati i Florentin Bajramit i arsyetoi veprimet e klientit të tij me moshën e re të tij në kohën kur mendohet se kreu veprën penale.

“Sot para jush keni të akuzuar një djalë shumë të ri, i cili sot ka mbushur 19 vjet e 20 ditë dhe që në kohën që ka kryer këtë vepër penale ka qenë vetëm 17 vjet e 10 muaj. Si mbrojtës i tij i pranoj deponimet e tij lidhur me deklarimin e pranimit të fajësisë dhe njëkohësisht i kujtoj kryetares së trupit gjykues se ky pranim është arritur falë bashkëpunimit dhe konsultimeve paraprake me të mbrojturin tim, i cili është penduar thellë që ka shkuar në Siri,” tha avokati Rexhepi.

Rexhepi të mbrojturin e tij e konsideroi të manipuluar.

“Ju mund të dini se nga e kaluara e tij, sjelljet dhe sukseset e tij gjatë shkollimit, jo vetëm që na bënë të mendojmë, por kemi edhe obligim ligjor e prindor që thellësisht të mendojmë se ky i ri në asnjë moment nuk ka shkuar me vullnetin e tij dhe që nuk ka pasur njohuri paraprake se ku ishte nisur, e çka mund të konkludojmë se ka qenë i manipuluar nga të tjerët,” u shpreh mbrojtësi i Florentin Bajramit.

Për shkak të këtyre arsyeve që përmendi, avokati Selami Rexhepi kërkoi dënim minimal për të mbrojturin tij.

“Në këto rrethana i propozojmë gjykatës që me rastin e matjes së dënimit gjykata të ketë parasysh të gjitha rrethanat, e veçanërisht ato lehtësuese të cilat do të ndikonin në shqiptimin e një dënimi sa më të lehtë dhe propozoj që ndaj të mbrojturit tim të ndalohet masa e paraburgimit dhe të caktohet masa e arrestit shtëpiak,” tha Rexhepi.

Por këtë propozim e kundërshtoi prokurori special Ali Rexha.

”Lidhur me masën e paraburgimit, propozoj që tani për tani të mbetet në paraburgim deri sa të marrë aktgjykimi formën e prerë,” tha Ali Rexha në kundërpropozim të avokatit Rexhepi.

Sipas aktakuzës nga data 17 shkurt 2015 e gjer në fund të muajit maj 2015 kur është kthyer në Kosovë, Florentin Rexhepi i është bashkuar organizatës DAESH. Gjatë kësaj kohe në shtetin e Sirisë iu ka nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik për përdorimin e armëve të ndryshme. Kjo organizatë sipas Kombeve të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste.

Sipas prokurorisë udhëtimin nga Kosova gjer në Siri e ka organizuar Kastriot Halimi ndaj të cilit është duke u zhvilluar procedurë e posaçme. Në këtë grup kanë udhëtuar edhe Valon Alija, Hashim Alija, Kujtim Xheladini dhe Florent Seferi.

Kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu njoftoi se aktgjykimi do të shpallet më 10 mars.

Artikulli paraprakDita e Gruas, ky është historiku
Artikulli vijuesAskush s’merr përgjegjësi për protestuesit në Xhaminë e Çarshisë