Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia shqiptare është duke u rimëkëmbur në linjë me parashikimet dhe se financat publike të vendit kanë nisur të përmirësohen.
“Rritja ekonomike po përshpejtohet, ndërsa borxhi publik ka filluar të ulet nga piku i vitit 2015”, thuhet në raportin e fundit mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare, njofton Top Channel.
Në këtë raport, FMN vëren se zbatimi i reformave nga autoritetet ka qenë solid. “E mbështetur nga një maxhorancë e fortë në Parlament, qeveria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme strukturore në fusha si energjia, pensionet dhe falimenti”, thotë raporti.
Fondi i mbajti të pandryshuara parashikimet për rritjen ekonomike në 3.4 për qind këtë vit dhe 3.8 për qind vitin e ardhshëm. Por tërheq vëmendjen se rreziqet mbeten të larta, veçanërisht ato që burojnë nga ambienti i jashtëm.
“Autoritetet duhet të çojnë përpara progresin thelbësor të deritanishëm, duke e vënë fokusin tek reformat kritike për përmirësimin e klimës së biznesit”, nënvizon raporti.
Sipas FMN, miratimi me konsensus i reformës në drejtësi ishte një arritje e rëndësishme në forcimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit.
Fondi inkurajon qeverinë të ruajë disiplinën fiskale dhe të thellojë më tej reformat që nxisin rritjen ekonomike, për të zbutur efektet negative që vijnë nga pasiguritë në Eurozonë.
Sipas FMN, në këtë drejtim një pikë kritike mbetet niveli i lartë i kredive të këqija, i cili vazhdon të frenojë rigjallërimin e kredive. Ndaj Fondi i kërkon Parlamentit të miratojë sa më shpejt ligjin e ri për falimentin, i cili sipas tij është kritik për uljen e kredive me probleme.