Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Lulzim Ismajli, po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat po zhvillohen në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Avdullah Hoti ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku është takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Min Zhu, drejtorin për Evropë Paul Thomsen, drejtorin ekzekutiv Ibrahim Canakci, si dhe përfaqësues të tjerë të FMN-së.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Financave në këto takime është diskutuar për një numër çështjesh, duke përfshirë edhe progresin e arritur në implementimin e Programit Stand-By.
“Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan arritjet e deritanishme dhe u zotuan për të vazhduar me përkrahjen e reformave në Kosovë. Në këto takime u diskutua edhe për nevojën e adresimit me kohë të presioneve fiskale që lidhen me skemat sociale, në një mënyrë që sigurohet qëndrueshmëria afatgjate e financave publike.
Delegacioni i Kosovës është takuar edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, ku kanë zhvilluar takime me dy zëvendëspresidentët e Bankës Botërore, Cyril Muller dhe Laura Tuck, drejtorin ekzekutiv Franciscus Godts, si dhe drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, Ellen Goldstein, me të cilët kanë diskutuar për nevojën që Banka Botërore të përkrah projektin Kosova e Re dhe një numër të projekteve kapitale që janë aprovuar nga Qeveria përmes Klauzolës për Investime.
Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, ministri Hoti u takua me Larry McDonald, përfaqësues i Thesarit Amerikan, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike e fiskale në Kosovë, si dhe për mbështetjen e Thesarit Amerikan dhënë Ministrisë së Financave. McDonald vlerësoi lart arritjet e deritanishme dhe u zotua që Thesari Amerikan do të vazhdoj të mbështesë Ministrinë e Financave, në veçanti në reformat që lidhen me borxhin publik”, thuhet në komunikatë.