FOL: Prishtina dhe Peja, prinë në mos-luftë kundër korrupsionit

Qyteti i Prishtinës dhe ai i Pejës janë dy qytetet që prokuroritë e tyre nuk kanë shënuar rezultate kundër korrupsionit.

Ky konstatim ka ardhur nga publikimi i raportit nga Lëvizja FOL, “Monitoruesi i Korrupsionit”, në të cilin përfshihen të gjitha aktivitetet e ndërmarra institucionale në luftë kundër korrupsionit për periudhën gjashtë-mujore: janar-qershor 2012.
Sipas të gjeturave të këtij raporti rezulton se “shtrirja më e madhe gjeografike e korrupsionit është në Prishtinë me 50 akte akuzuese të ngritura nga prokuroritë e vendit; pason Peja me 19 akte akuzuese; Gjilani me 10; Prizreni me 7; Ferizaj me 8; si dhe Gjakova me 4 akte akuzuese.
“Ndërkaq, prokuroritë që nuk kanë shënuar rezultat në luftë kundër korrupsionit janë: prokuroria e qarkut dhe ajo komunale në Mitrovicë, si dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk kanë ngritur as edhe një akt akuzues të vetëm”, thuhet në raportin e FOL-it.
Më mirë, sipas këtij raporti, nuk qëndrojnë as gjykatat e rregullta komunale të Kosovës, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore kanë zgjidhur gjithsej 64 lëndë: 36 në kuadër të shpërdorimit të pozitës zyrtare, 10 në kategorinë marrje e ryshfetit dhe 18 në dhënie të ryshfetit. Ndërkaq, në fund të periudhës raportuese, kanë mbetur gjithsej 187 lëndë të pazgjidhura: 126 në kategorinë shpërdorim i pozitës zyrtare, 40 në kategorinë marrje e ryshfetit dhe 21 në dhënie të ryshfetit.
Po ashtu, FOL ka publikuar në kuadër të këtij raporti edhe statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), ku rezulton se Policia e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të 2012 ka hetuar në total 95 raste, ka arrestuar gjithsej 28 zyrtarë të ndryshëm publikë, ka dërguara 69 raste në Prokurori me kryerës të njohur, 1 rast me kryerës të panjohur (N/N), si dhe 9 raste të tjera me raport të veçantë të prokurorit.
Në raport, Lëvizja FOL vlerëson që ekzekutivi i vendit nuk ka demonstruar vullnet për luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e tij në institucionet publike. Nga 180 vendime sa ka miratuar gjithsej sipas këtij raporti, vetëm 4 sosh kanë qenë në luftë kundër korrupsionit.
Sipas raportit, as Kuvendi i Kosovës nuk është treguar produktiv në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Nga 29 seanca plenare sa janë mbajtur gjithsej, vetëm në dy prej tyre është diskutuar për luftën kundër korrupsion./ndx/kohaislame

Artikulli paraprak320 mijë palestinezë falën namazin e xhumasë në xhaminë Aksa
Artikulli vijuesTwitter arrin 500 milionë përdorues