Nganjëherë pyetem, përse shkruaj? Ndërsa ekzistojnë njerëz mjaftë më të aftë se unë në shkrim. Njerëz të cilët kanë shumë më tepër njohuri se unë dhe të cilët kanë diapazon më të gjerë informatash nga unë! Çfarë dobie ka zëri im në detin e zërave…
Kjo më kujtoi tregimin e kaptinës Jasin, ku Allahu i Madhëruar sqaron që Dërgoi dy Pejgamber në një qytet, por banorët e qytetit i refuzuan dhe nuk i besonin. Ndaj Allahu i Madhërishëm dërgoi edhe pejgamberin e tretë që t’i përkrah, por populli akoma nuk besonte…
“Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha: “O populli im, ndiqni të dërguarit! Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë! Përse të mos e adhuroj Atë, i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë? Vallë, përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse i Gjithëmëshirshmi do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do të më sillte kurrfarë dobie e as që do të mund të më shpëtonin. Atëherë, unë do të isha me siguri në humbje të dukshme. Unë i kam besuar Zotit tuaj, andaj, më dëgjoni!” [Jasin, 20-25]
Aty erdhi njeriu i cili vjen me ngut që t’i përmbajë pejgamberët në mësimet e tyre. Allahu i Madhërishëm në atë qytet dërgoi tre pejgamber. Pejgamberët me siguri kishin më tepër njohuri se ky njeri, kishin kapacitet dhe aftësi më të mëdha në përhapjen e Fjalës së Allahut, dhe në fund të fundit Allahu i ka zgjedhur për kryerjen e atij misioni.
Megjithatë, erdhi ky njeri i cili përdori zërin e tij si besimtar i thjeshtë që t’i udhëzoj njerëzit kah e Vërteta. Ajetet vijuese tregojnë se ky njeri u vra nga jobesimtarët për atë që ky tha, ndaj shikoni si është shpërblyer: “(Pasi e vrau populli i vet, atij) iu tha: “Hyr në Xhenet!” Ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im, se si më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!” [Jasin, 26-27]
Vetëm për shkak se përdori zërin e tij, Allahu e futi në Xhennet. Tregimi i tij u bë analogji e rëndësishme në Kur’an. Dhe Allahu e plotësoi dëshirën e këtij njeriu – dhe të gjithë ata që i lexojnë këto versete kur’anore e dinë që njeriu u shpërblye me Xhennet.
Thoni dhe shkruani të Vërtetën, madje edhe kur zëri juaj është i vogël i thyeshëm dhe mezi i dëgjueshëm, madje edhe kur jeni të frikësuar. Thoni, shkruani dhe transmetoni deri sa Allahu ta përforcojë zërin tuaj dhe t’u mundësoj të përfitoni njohuri dhe guxim të cilat janë të nevojshëm në këtë rrugë.
Zëri i çdo besimtari është i rëndësishëm. Asnjë angazhim nuk është i vogël. Mos harroni të Dërguarin e Allahut, Muhammedin (paqja e Allahut qoftë mbi të), i cili kërkoi nga ne: ‘Transmetoni nga unë madje një ajet të vetëm.’
Vazhdoni rrugës së thënies së të Vërtetës dhe guximit, madje edhe nëse është rëndë. Përhapni dijen që posedoni, edhe në qoftë se është e paktë. Ndoshta një ditë do bëheni njeriu i cili qëndron para Allahut duke thënë: Ah, sikur ta dinte populli im, se si më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!
Autore: Esma Hussein
Përktheu: Lutfi Muaremi