Mbrëmë në qytetin e Kriva Pallankës persona të panjohur kanë demoluar objektin ku myslimanët e këtij qyteti kryenin ritet fetare.
Alsat mëson se policia ka dalë në vendngjarje dhe po heton rastin. Ndërkohë që edhe një ekip i BFI-së është nisur për në Myftininë e Kumanovës për të shqyrtuar rastin në fjalë, ngase objekti bie nën Myftininë e Kumanovës.
Dje poashtu në Kriva Pallankë, u mbajt protesta e organizuar nga një nismë qytetare për të kundërshtuar ndërtimin e një xhamie, në iniciativë të komunitetit romë të përkatësisë fetare muslimane.
Njëri nga organizatorët e protestës, i cili deshi të mbetet anonim, tha se kjo protestë nuk është organizuar as nga partia e VMRO-DPMNE-së as nga partia e LSDM-së, por as nga ndonjë parti tjetër politike.
“Por, kjo protestë është organizuar nga një grup qytetarësh të Kriva Pallankës. Çështja e dytë është se ne nuk jemi kundër romëve, por kundër disa organizatave islamiste apo individë të caktuar, të cilët manipulojnë me romët për pak para, që të arrijnë qëllimet e tyre. Një numër i caktuar i këtyre romëve, para një kohe ishin ortodoks, pastaj dëshmitarë të jehovait, kurse tani janë muslimanë”, deklaroi një protestues pas së cilës u dëgjuan brohoritje, ku u shpërndanë edhe disa fotografi si dëshmi.
Protestuesit brohorisnin “Kriva Pallanka qytet ortodoks”.
Ndersa nje protestues tjeter tha se në dy ditët e kaluar janë mbledhur mbi 4 mijë nënshkrime të qytetarëve që janë kundër, siç pretendon ai, “islamizimit të Kriza Pallankës”. Sipas tij, qytetarët e Pallankës, me nënshkrimet e mbledhura dhe me këtë protestë dëshirojnë të thonë se “janë kundër ndërtimit të xhamisë në Kriva Pallankë”.
Para shtëpisë ku ishte paraparë ndërtimi i xhamisë ishin vendosur pjesëtarë të policisë të veshur me jelek antiplumb dhe helmeta, ndërsa në momentet e raportimit tek masa vërehej tension i shtuar, pasi që organizatorët në kumtesën e lexuar u dhanë ultimatum që shtëpia të lirohet sa më parë, ndërsa nga masa e tubuar dëgjoheshin zëra për largimin e menjëhershëm.
Përndryshe, Kriva Pallanka është një qytezë me rreth 15 mijë banorë, ku shumica absolute i përket besimit ortodoks. Në këtë qytezë jetojnë rreth 600 pjesëtarë të komunitetit romë.
Parashtrohet pyetja se çka do thotë kryeministri në largim, Nikolla Gruevski rreth tensioneve atje, kur kihet para sysh deklarata e tij se kush do të tenton ta destabilizojë Maqedoninë do merr përgjigje si në Kumanovë. A do të intervenon shteti për të shuajt shovenizmin fetar që po ndodh në këtë qytet të Maqedonisë, mbetet një dilemë e hapur.