Asnjë zyrtar i huaj nuk është i ftuar në ceremoninë e betimi të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Kjo gjë konfirmohet nga një dokument i siguruar nga Top Channel, i cili u është dërguar selive diplomatike të akredituara në Uashington, nën siglën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Në të nënvizohet qartë se, “Si në të kaluarën, delegacione të huaja nuk do të ftohen në Uashington për këtë ngjarje. Shefat e misioneve diplomatike të vendosur në Uashington, së bashku me bashkëshortët/et, do të përfaqësojnë kryetarët e shteteve dhe qeveritë e tyre në ngjarjen kryesore të inaugurimit. Kjo ftesë nuk është e transferueshme”.
Siç pohohet dhe nga vetë Departamenti i Shtetit, veç ambasadores së Shqipërisë në Amerikë, Floreta Faber, askush tjetër nuk është i ftuar.
Por disa zyrtarë dhe politikanë shqiptarë, mes tyre kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ministri Blendi Klosi dhe deputeti socialist Ervin Bushati janë nisur për të marrë pjesë në këtë ceremoni.
Top Channel ka siguruar dhe një biletë, e cila shitet deri në 500 dollarë nga stafi i presidentit Donald Trump, për “Mëngjesin Inaugurues të Presidentit”, aktivitet ky i cili zhvillohet në fakt në Trump International Hotel e jo në ambientet zyrtare të Uashingtonit.
Biletat janë pa emër dhe shoqërohen nga formulari i pagesës. Gjithsesi, kërkesa mbetet e lartë dhe rezulton se këto ftesa janë shitur shpejt./TCh