Fushatë vetëdijesimi për rrezikun nga mjetet piroteknike

Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës kanë nisur një fushatë vetëdijesimi me qëllim të parandalimit të problemeve dhe lëndimeve nga përdorimi i mjeteve piroteknike, që është bërë dukuri gjatë festave të fundvitit.

Për menaxhimin e kësaj fushate është formuar një grup punues ku bëjnë pjesë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria e Inspekcionit, Drejtoria e Arsimit si dhe Policia e Kosovës.

Behxhet Bala, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se problemet si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të mjeteve piroteknike janë të mëdha dhe sjellin rrezik.

“Kemi pasur raste viteve të kaluara që fëmijë apo edhe të rinj të kenë pësuar lëndime të ndryshme gjatë përdorimit të këtyre mjeteve plasëse”, tha ai.

Sipas tij, do të organizohen ligjërata nëpër shkolla lidhur me vetëdijesimin e nxënësve, mandej do të shpërndahen afishe për rrezikun e përdorimit të mjeteve piroteknike, në rrugë, sheshe, lokale biznesi , tregje dhe në vende tjera publike. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakAutoritetet vjeneze inkurajojnë ndërtimin e xhamive
Artikulli vijuesNe të gjithë jemi të pavëmendshëm për privatësinë