Gabim trashanik, Kosova quhet Serbi në Shqipëri

Një “lapsus” apo “gafë” mund të quhet në rastin më të mirë ajo që ka ndodhur në seminarin dyditor që u mbajt në Berat për trashëgiminë kulturore. Gazetari nga Kosova i ftuar nga organizatorët u quajt në protokollin e seminarit si “nga Serbia”.

Ky incident i ka lënë një shije të hidhur Belgzim Kamberit, ndërkohë që organizatorët francezë kanë deklaruar se nuk bëhet fjalë për qëndrim politik, por për një lapsus.

“Ka një gabim teknik dhe përgjegjësia na takon ne pasi ne e kemi redaktuar listën e pjesëmarrësve në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Është një gabim sekretarial, dhe jo gabim në nivel politik, absolutisht jo”, – deklaroi Marlylise Ortiz, drejtore e shoqatës kombëtare të qyteteve dhe vendeve të artit dhe kulturës në Francë në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”.

“U befasova dhe nuk më erdhi aspak mirë. U ankova dhe më thanë që bëhej fjalë për një gabim të sekretariatit”, – tregon për “Gazeta Shqiptare”, Belgzim Kamberi. Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar edhe kryebashkiaku i Beratit duke uruar se bëhet fjalë për një lapsus.

“Është një problem që nuk ka të bëjë me qeverisjen vendore dhe nuk e di se kush dhe me kë është përgatitur lista e të ftuarve. Uroj që të jetë një lapsus sekretarial, ashtu siç u shpreh edhe organizatorja e këtij seminari Marlylise Ortiz”, – deklaroi Nasufi për “Gazetën Shqiptare. /kohaislame

Artikulli paraprakInstitucionet e Kosovës duan të komunikojnë me Kishën ortodokse
Artikulli vijuesDisa urtësi administrative për përmirësimin e kualitetit të administrimit të punës