Institucionet e Kosovës duan të komunikojnë me Kishën ortodokse

0
132

Institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje që të vendosin komunikim të rregullt më Kishën ortodokse serbe në Kosovë. Burime të gazetës kanë shpjeguar se kontaktet mes klerit të Kishës dhe përfaqësuesve të institucioneve janë shtuar. Madje, sipas këtyre burimeve, një anëtar i kabinetit qeveritar ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Kishës ortodokse serbe. Takimet janë mbajtur me rastin e festave ortodokse dhe do të intensifikohen në të ardhmen. Qëllimi, sipas burimeve të gazetës, është që brenda disa muajve të ketë edhen një vizitë të presidentes së vendit, Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Thaçi në njërën nga kishat ortodokse në Kosovë. Përpjekjet po bëhen për avancimin e komunikimit në nivel të institucioneve lokale, por edhe të atyre qendrore. Përpjekjet po mbështeten nga organizatat ndërkombëtare si ICO-ja, por edhe nga shtetet anëtare të Quintit.

Deri vonë edhe Zyra që e ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, ka qenë e papranueshme për përfaqësuesit e Kishës, por së fundmi, shefi i kësaj zyre që pritet të përfundojë shpejt mandatin në Kosovë, Pieter Feith, i ka vizituar disa nga kishat në Kosovë.

Në një prononcim të shkurtër për “Kohën Ditore”, ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou, ka mbështetur këto përpjekje, duke shpjeguar se institucionet duhet t`u shërbejnë të gjitha etnive dhe religjioneve në vend.

“Është diçka që duhet të ndodhë. Institucionet e Kosovës duhet të komunikojnë dhe të ofrojnë shërbimet e duhura për të gjitha bashkësitë fetare pa marrë parasysh etnicitetin. Kosova duhet të kujdeset jo vetëm për një minoritet, por për të gjithë. Të gjithë duhet të ndihen të barabartë dhe zonat e mbrojtura janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur trashëgiminë e përbashkët kulturore dhe fetare”, ka thënë Fitou.

Sipas ambasadorit francez, kjo është një mundësi që çdo njeri që jeton në Kosovë të ndihet mirë dhe të ruhet trashëgimia.

“Kur vjen fjala të trashëgimia, çfarëdo qoftë ajo, është e Kosovës”, ka thënë Fitou. “Të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë duhet të kontaktojnë dhe të marrin shërbimet që ofrohen nga institucionet e Kosovës, sepse kjo ka të bëjë me nevojat e tyre”, ka shtuar ambasadori francez.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë për gazetën se Qeveria është e gatshme që të ketë qasje të drejtpërdrejtë te kleri serb në Kosovë.

“Ne jemi të interesuar që të kemi qasje të drejtpërdrejtë dhe t`i trajtojmë në përputhje me ligjet tona fetare”, ka thënë Kuçi.

Ditë më parë, personeli i Manastirit të Deçanit ka aplikuar për dokumente të shtetësisë së Kosovës. Pesë nga lista prej 14 klerikëve të Manastirit të Deçanit janë drejtuar në Zyrën e Regjistrimit Civil dhe kanë aplikuar për dokumente të Republikës së Kosovës. Listës nga ta i ka paraprirë ati Sava Dragutin Janjiq, i shoqëruar nga Dejan Sirko, Jezeklij Stakiq, Slobodan Milinkoviq dhe Sasha Timshiq. Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili duke iu uruar mirëseardhjen i ftoi ata që të ndihen të lirë në komunën dhe shtetin e tyre.

Një veprim tjetër që pritet t`i ofrojë institucionet dhe Kishën ortodokse serbe në Kosovë është formimi i bordit drejtues të zonës së veçantë mbrojtëse në Prizren. Bordi do të përbëhet nga përfaqësues të kishës, xhamisë, shoqërisë civile dhe të Komunës së Prizrenit, dhe do të jetë bord ekzekutiv për shumë zhvillime brenda zonës së krijuar në Prizren e që përfshin pjesën kryesore të qytetit.

Bashkësia ndërkombëtare u ka dhënë mbështetje të fuqishme klerikëve serbë në Kosovë në përpjekjet e tyre për të pranuar shërbimet e institucioneve të Kosovës./koha/kohaislame