Gazetari që e filmoi pesëvjeçarin sirian: ai përfaqëson miliona fëmijë të Sirisë

Fotografia dhe pamjet filmike të Umran Dakneshit kanë qenë lajmi i ditës në tërë mediat botërore gjatë ditës së shkuar e në vijim. Pesëvjeçari i mbytur në gjak e pluhur ka folur me pamjen e tij pa hapur gojën, thjesht duke vështruar i habitur.

I nxjerrë nga rrënojat pas bombardimeve në Halep, i vogli është shndërruar në apelin për një dramë që zgjat me vite, së cilës nuk i duket ende fundi.

“Kam parë shumë fëmijë të nxjerrë nga rrënojat, por ky fëmijë, me pafajësinë e tij… Ai nuk ia kishte haberin për çfarë po ngjiste,” ka treguar gazetari që i filmoi pamjet tronditëse.

“Ai vuti dorën në faqe dhe pa gjak. Nuk e dinte çfarë po ndodhte me të,” shpjegon Mustafa es-Saruti.

“Kam  fotografuar shumë sulme ajrore në Halep, por fytyra e tij shprehte shumë. Gjaku dhe pluhuri i përzier… në atë moshë.”

Gazetari në Halep është befasuar nga interesi i jashtëzakonshëm i treguar për pamjet filmike që ai i bëri të njohura. Sipas tij, vrasja e fëmijëve është bërë një tipar i zakonshëm i luftës në Halep dhe në pjesën tjetër të Sirisë, sa ata që e dokumentojnë brutalitetin e saj ditë pas dite nuk janë më të habitur nga çfarë u shohin sytë.

“Këta janë fëmijë të bombarduar çdo ditë. Nuk është një rast i jashtëzakonshëm. Ky është një fakt i përditshëm i sulmeve ajrore ruse dhe të qeverisë siriane. Ata i bombardojnë civilët në Halep para të gjithë botës. Ky fëmijë është përfaqësues i miliona fëmijëve në Siri dhe në qytetet e saj,” janë fjalët e gazetarit që pati meritën ta risjellë edhe njëherë në vëmendje tmerrin e konfliktit sirian. /tesheshi.com/     

Artikulli paraprakKairouan, vendi i ezanit të parë në Afrikë
Artikulli vijues🔹🌷 DITA E XHUMA 🌷🔹 Të meditojmë në veçoritë e Sures El Kehf