Geci: Daci e Haradinaj bashkë te Thaçi

Ish-deputeti i LDD-së në Kuvendin e Kosovës, Gani Geci ka thënë se koalicioni mes LDD-së dhe AAK-së është bërë për të konsoliduar një pushtet të ardhshëm mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt.

Ai sërish e sheh veten në LDK, kurse fitorja e LDK-së, sipas tij, “ndodh vetëm nëse bashkohen shtëpitë nacionaliste dhe mposhten komunistët, titistët dhe socialistët”.

Ai ka thënë se ky koalicion nuk është në të mirë të Kosovës, por do të ndodh pas përfundimit të bisedimeve që po zhvillohen me Serbinë në Bruksel.

“Nuk e di se si do të ndodh në të ardhmen, por drita ime më çon aty se këta faktikisht pas këtyre bisedimeve që janë duke ndodhur dhe kanë me përfundu janë duke u konsoliduar për një pushtet të ardhshëm, që nuk besoj se do të jetë i frytshëm për Kosovën. Ky pushtet do të jetë PDK dhe ekziston mundësia me AAK-në nëse Ramush Haradinaj nuk ia kthen shpinën dikur Hashim Thaçit”, ka thënë Geci për Express.

Deputeti i cili në vitin 2006 kishte thënë në Kuvendin e Karrigeve të LDK-së se po i përgatitet pushteti Liderit të PDK-së, tash ka theksuar se Daci e Haradinaj po bëhen gati për t’ia zgjatur jetën në pushtet Kryeministrit aktual.

“Të gjitha letrat çojnë kah një koalicion i ardhëm me PDK-në dhe AAK. Parashikimi është ky, duke i parë edhe votimet që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ndryshon në të ardhmen’, ka shtuar ai.

Geci nuk ka dashur të flet shumë për Liderin e LDD-së, për të cilin ka thënë se i di të gjitha meqë është Akademik.

Por, ai ka rikujtuar kohën kur Dacin e kanë përkrahur nga “hienat e nëntokës”.

“Faktikisht gati e patën shkatërruar”, kujton Geci.

Por, cila është e ardhmja politike e Familjes Geci nga Drenica?

Gani Geci jep përgjigje, jo fort i sigurt se do të mund të rikthehen në Shtëpinë e Vjetër.

Ai thotë se Familja Geci ka qenë pjesë e LDK-së së Rugovës dhe do të bëhet pjesë e së ardhmes së kësaj partie.

“Parimisht, e vetmja parti politike që e kemi përkrah ka qenë LDK në krye me Presidentin Rugova. E kemi mbështetur luftën, e kemi mbështetur paqen, e kemi mbështetur edhe Akademikun kur ka pas nevojë për ne. Të ardhmen tonë e shohim në LDK por nuk do të thotë në LDK-në e sodit ose LDK-në e djeshit, por në LDK e të ardhmes”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Geci thotë se aktualisht është e pamundshme të mposhtet politikisht Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.

Por, sipas tij, fitorja e LDK-së ndodh vetëm nëse bashkohen shtëpitë nacionaliste dhe mposhten komunistët, titistët dhe socialistët.

“Ne s’kemi qenë në atë Partinë Komuniste as Socialiste kurrë. Jemi kanë në luftë, në paqe dhe në LDK. Tash, e ardhmja jonë, nëse LDK vetëdijesohet, se edhe ashtu e ka shumë zor me mujt Hashim Thaçin edhe me ne, e le ma pa ne, ne mendojmë se ajo duhet t’i bashkoj shtëpitë nacionaliste. Sepse shtëpitë nacionaliste kanë qenë kundër regjimit komunistë, titist dhe socialist. Ibrahim Rugova i pati bashkuar këto shtëpi”, ka parashikuar ai.kohaislame

Artikulli paraprakAssad paralajmëron efektin domino
Artikulli vijuesMigrojnë prej zori