Gënjeshtër, s'ka zyre të Kosovës në Beograd!

Është absolutisht i pavërtetë informacioni se Brukseli ia ka vënë Serbisë kushtin që për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, duhet të lejojë hapjen e zyrës diplomatike të Kosovës në Beograd, ka thënë për mediat serbe një zyrtar i Këshillit të Evropës.

Hapja e zyrës së Kosovës do të kishte funksionin e hapjes së ambasadës, e cila vetëm do të mbajë një emër tjetër – Zyrë, ka raportuar “Novi Magazin”, sipas së cilës nga Serbia kërkohet që të hapë një përfaqësi të saj në Prishtinë, e cila, krahas hapjes së zyrës së Kosovës në Beograd, praktikisht do të thotë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Një burim i KE-së, shkruan agjencia serbe “Tanjug”, ka thënë se kushtet për këtë janë të qarta në konkluzionet e Këshillit të BE-së.Kushti kryesor është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, e me këtë nënkuptohet dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme, liria e lëvizjes për KFOR-it dhe EULEX-it, por jo edhe e hapja e zyrave në Prishtinë dhe në Beograd.

Burimi i “Tanjugut” thotë gjithashtu se disa vende, si Gjermania, kanë kritere shtesë që lidhen me strukturat paralele në veri të Kosovës.”Me aq sa di unë, as Gjermania dhe as ndonjë vend tjetër nuk do të këmbëngulë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Serbisë dhe Kosovës”./zhurnal/kohaislame

Artikulli paraprakSi dhe ku të shpenzojmë? Që të plotësojmë nevojat dhe të fitojmë më shumë
Artikulli vijuesMasakrohen edhe rreth 80 persona në Siri