Shtyhet për nesër gjykimi ndaj Mustafit

Shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-prokurorit special të Kosovës, Nazmi Mustafi, dhe tre të akuzuarve të tjerë, ishte planifikuar të nisë të hënën. Mirëpo, ai u shty për të martën, pasi e akuzuara Mirela Ndoci nuk është paraqitur.

Avokati i saj tha Ndoci nuk kishte marrë ftesë dhe se do të paraqitet nesër.
Në Gjykatën e Qarkut në Pejë, të hënën ishte e planifikuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Nazmi Mustafi, Rifat dhe Xhelal Zherka dhe Mirela Ndoci.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, ngarkohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, nga neni 339, paragrafi 1 dhe 3, dhe veprën penale “armëmbajtje pa leje”, nga neni 328, paragrafi 2, i KPK-së; Reshat dhe Xhelal Zherka akuzohen për veprat penele “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 345, paragrafi 1, lidhur me 23, si dhe veprën penale “Mashtrim i blerësve”, nga neni 224, paragrafi 1, lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së; Mirela Ndoci akuzohet për veprën penale “Ndihmë pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 339, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 25, të KPK-së.

Aktakuza e ngritur nga prokurori i EULEX-it, Cezari Mihalcuk, ishte konfirmuar më 4 shtator 2012.

Ndaj këtyre të akuzuarve, të hënën ishte planifikuar të fillojë shqyrtimi gjyqësor, mirëpo ai nuk u mbajt pasi që kryetari i trupit, Simmons Malcolm, deklaroi se në seancë mungon e akuzuara Mirela Ndoci. Dhe pasi ajo ka një rol mjaft të rëndësishëm, ai deklaroi se në mungesë të saj nuk mund të fillojë shqyrtimi gjyqësor.

Avokati mbrojtës i Ndocit, Haxhi Millaku, tha se pak më herët kishte biseduar me të mbrojturën e tij, dhe se ajo nuk ka pasur ftesë për t’u paraqitur në seancën e sotme. “Ajo do të paraqitet nesër, në orën 10”, tha Millaku, transmeton gazeta JnK.

Para se kryetari i trupit gjykues të merrte vendim për ndërprerjen e seancës, fjalën e kërkoi i akuzuari Reshat Zherka. Ai kërkoi nga prokurori që t’ia kthejë disa gjësende të cilat janë sekuestruar gjatë arrestimit të tij dhe vëllait, Xhelalit, e të cilat sipas tij janë jetike për familjen. Bëhet fjalë për disa gjësende të amvisërisë, si shporet elektrik, lavatriçe etj. “Të gjitha ato sende janë blerë me pensionin e nënës”, tha ky i akuzuar.

Mirëpo, prokurori i rastit, tha se të gjitha këto sende janë sekuestruar për t’u mbuluar vlera prej 30 200 eurosh, me te cilën ngarkohen në aktakuzë vëllezërit Zherka.

“Ne mendojmë se këto sende të sekuestruara janë të blera nga mjetet e fituara nga vepra penale me te cilën akuzohen vëllezërit Zherka”, tha prokurori Mihalcuk.

Shqyrtimi u caktua të mbahet të martën, me fillim nga ora 10.kohaislame

Artikulli paraprakRaketa "Zenit" dërgoi në orbitë satelitin europian të komunikimit
Artikulli vijuesHuliganët maqedonas rrahin studentin shqiptar në Shkup