Gerxhaliu: Varfëria në Kosovë, bombë e kurdisur

Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike, thotë se korrupsioni dhe burokracia po ndikojnë në largimin e investitorëve të huaj. Varfëria e skajshme, sipas tij, pritet të thellohet ende. Nuk bëhet fjalë për hapje të vendeve të reja të punës e as për investime të huaja, dhe kjo falë imazhit të shkatërruar të Kosovës. Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, që u publikua në numrin e sotshëm, ai shpreh shqetësimin se një ditë edhe bizneset kosovare do ta braktisin vendin. Afaristët, sidomos prodhuesit ai i quan heronjtë e pasluftës. Por, për fat të keq, sipas tij, nga qarqe të caktuara institucionale, biznesmeni kosovar shihet vetëm si subjekt për gjobitje dhe grabitje.

Varfërinë në Kosovë, ai e ka quajtur bombë të kurdisur për vendin.

Në qoftë se analizohen premtimet e bëra nga dikastere të caktuara qeveritare në fund të vitit 2011, se viti 2012 do të jetë vit i mbështetjes dhe i përkrahjes më të madhe karshi biznesit, optimizmi ka qenë shumë i madh, shprehet Gërxhaliu. Mirëpo, tani jemi në prill të këtij viti dhe sfidat dhe vështirësitë për sektorin privat janë në rritje e sipër. Të gjitha ato premtime që kanë qenë, kanë mbetur në formë të fjalëve, por në realitet ato nuk janë duke u shijuar nga sektori privat. E tëra kjo e dëmton edhe më tepër ambientin e biznesit. Nga mosimplementimi i të gjitha këtyre premtimeve qeveritare, druaj se më tepër jemi duke i promovuar që investimet e huaja të orientohen në vendet e rajonit, sesa të mbeten në Kosovë. Kemi të bëjmë me imazhin e dëmtuar të Kosovës, me procesin e korrupsionit dhe të burokracisë për të cilat vetëm flitet dhe asgjë nuk luftohet.

I pyetur se cila është ajo substancë për të cilën po mendoni se duhet të ndryshohet, kryetari i OEK u përgjigj se në rend të parë duhet mendojmë se si mund të kemi zhvillim ekonomik në qoftë se 80 për qind e buxhetit duhet të grumbullohet nga Dogana, dhe 20 për qind nga Administrata Tatimore. Kur kemi një orientim të tillë lind pyetja se a mos vallë është orientimi bazik qeveritar që tregtia të jetë ajo që do të krijojë qëndrueshmëri.

Pyetje nëse pret edhe një krizë ekonomike, Gërxhaliu iu përgjigj se vetëm ata që vërtet e analizojnë Kosovën nga këndvështrimi politik mund të thonë se në Kosovë nuk ka krizë dhe nuk do të ketë krizë. Duhet të kuptohet se Kosova ka hyrë nga kriza në krizë, dhe kjo po reflektohet çdo ditë e më tepër. Sa ka vende të reja të punës, sa ka investime të huaja, çdo ditë e më pak. Me siguri se do të ballafaqohemi edhe me rënie të remitencave nga diaspora. Këto janë argumente se vërtet jemi në krizë. Nëse nuk bëhet ndonjë hap për të dalë nga kjo situatë, vërtet do të ketë pasoja shumë të mëdha për të ardhmen e Kosovës.

Është shqetësuese ngritja e vazhdueshme e çmimeve. Informatat më të reja më të reja thonë se çmimet janë ngritur 8 për qind. Paramendoni se sa ndikon kjo në Kosovë, kur jemi duke jetuar me paga afrikane, ndërsa kemi çmime dhe standard evropian. Kemi afër 17 për qind të popullatës që jetojnë në varfëri ekstreme, me 93 centë në ditë, dhe 50 për qind të popullatës në varfëri. Kjo është një bombë e kurdisur.

Si një problem me pasoja afatgjata ai ka përmendur posaçërisht sistemin arsimor. Në vitet e fundit, me të madhe në Kosovë po prodhohen analfabetë. Vendosja e tyre në pozitat kyç është vrasje e 40 vjetëve të ardhshëm për vendin./koha/kohaislame

Artikulli paraprakHajni në Handikos
Artikulli vijues"MEDIAPART" PUBLIKON DOKUMENTIN E PAZARLLËQEVE KADAFI-SARKOZI