Mafiozët e korruptuar në panik nga Specialja

Duket se më në fund Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur të futet në një veprim të drejtë, të paanshëm, dhe në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, duke mos pritur lojën hipokrite të institucioneve dhe politikës së inkriminuar kosovare, që po zvarrit proceset për të shtyrë fillimin e punës se Gjykatës Speciale në Holandë.

Vetëm kjo gjykatë, siç shihet e pritet nga qytetarët e pashpresë, mund të pastrojë koalicionin aktual të korruptuar e të tejinkriminuar edhe për shkak të faktit se kjo gjykatë nuk do të fokusohet e mbetet vetëm në krimet e luftës, por edhe arrestimin e “peshqve të lartë” që po mbajnë peng të ardhmen e vendit.

Analistët e shohim me sy pozitiv që SHBA-ja dhe BE-ja kësaj radhe janë në anën e qytetarëve të Kosovës, e jo të politikanëve të kriminalizuar, ku shumë nga ta janë edhe milionerë e multimilionerë me rrogë shteti.

Analisti Faik Krasniqi thotë se drejtësia e Kosovës për 16 vjet me radhë dështoi që prapa grilave t’i dërgojë kriminelët dhe të korruptuarit e politikës dhe parapolitikës, e siç thotë ai “peshqit e mëdhenj” të politikës, të cilët janë fajtorët për shkatërrimin e ekonomisë, por edhe kapotë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai thotë se Bashkësia ndërkombëtare i ka kuptuar lojërat e politikës për të zvarritur procesin e themelimit të kësaj gjykate, prandaj edhe është vënë në veprim.

“Derisa të kemi në pushtet dhe në skenën politike, këtë kastë të vjetër të tejkriminalizuar, të korruptuar dhe mafioze, asnjë rast i vetëm nuk do të zbulohet, as i krimeve ekonomike, as i krimit të organizuar dhe asnjë vrasje me motive politike, sepse prapa tyre qëndrojnë matrapazët e politikës dhe të nëntokës, dhe asnjë prokuror e gjykatës i Kosovës nuk e ka dhe as nuk do ta ketë kurrë guximin të merret me këto çështje”, thotë ai.

Sipas Krasniqit, Kosovës i duhet dhe një Gjykatë Speciale për të hetuar krimet e rënda ekonomike që kanë ndodhur me vite të tëra në Kosovë.

“Krahas Gjykatës për krime lufte, Kosovës i duhet një Gjykatë Speciale për krime të rënda ekonomike, ku përfshihen korrupsioni e krimi i organizuar dhe për vrasjet me motive politike. Meqë pavarësia e Kosovës është projekt i Bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht i SHBA-së dhe BE-së, besoj që Kosovën nuk do ta lënë më në duart e këtyre banditëve e kriminelëve të politikës aktuale, edhe pse edhe ata mbajnë përgjegjësi për krijimin e kësaj klase politike kriminale dhe mafioze”, thotë ai. /Kosova sot/

Artikulli paraprakMbretëresha e Jordanisë i përgjigjet satirikes “Charlie Hebdo”
Artikulli vijuesTmerri i Shabanit mes kufomash dhe plumbash mbi kokë